Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, Xhaçka në Riad: Prioritet i punës tonë!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS (D-ISIS), që u zhvillua në Riad të Arabia Saudite, nën bashkëkryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqësuar nga Antony Blinken dhe Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të përfaqësuar nga Princi Faisal bin Farhan Alsaud.

Gjatë fjalës së saj ministrja Xhaçka evidentoi rolin, angazhimin dhe kontributin pro aktiv të Shqipërisë, si dhe përparësinë që vendi ynë i ka dhënë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e vendosur atë si një nga fushat prioritare të angazhimit tonë si vend anëtar jo i Përhershëm i Këshillit të Sigurimti të OKB.

“Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit ka qenë një nga prioritetet e punës sonë në Këshillin e Sigurimit. Gjatë mandatit tonë të deritanishëm kemi punuar ngushtë me miqtë dhe aleatët për të përfaqësuar dhe çuar përpara interesat dhe objektivat tona të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria është e përkushtuar ndaj këtij koalicioni, kudo që paraqitet kërcënimi i terrorizmit dhe ne do të punojmë ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha kryediplomatja shqiptare.

Duke qenë një nga vendet e para, pjesë e aksionit të përbashkët politik ndërkombëtar në kuadër të Koalicionit Global kundër ISIS, Shqipëria rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e saj, krahas vendeve partnere në koalicion, për vazhdimin e luftës kundër ISIS, dhe çdo shfaqjeje të terrorizmit.

Takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të Koalicionit Global të luftës kundër ISIS, përbën një event të rëndësishëm dhe kontribues në orientimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve globale për një fitore të qëndrueshme kundër terrorizmit ndërkombëtar.

SHKARKO APP