“Luftë” mes kandidatëve/ Xhafaj i dyti më i votuar në Tiranë, Basha i pari te PD
Prej mbrëmjes së të martës ka nisur numërimi i votave për kandidatët. Deri në orën, 16:00, në qarkun e Tiranës, në listën e PS-së, në vend të parë renditet Belinda Balluku, e cila deri tani ka arritur të sigurojë 5055 vota.
Këto vota pak rëndësi kanë për të, pasi ajo renditej në vendin e 10 në listën e deputetëve dhe është automatikisht e sigurt në parlamentin e ardhshëm, pasi PS ka siguruar 18 deputetë. Interesante pritet të jetë gara e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili duhet të kalojë herësin, pasi renditej i 23-ti në listë. Deri tani ai ka arritur të marrë 2615 vota, duke qenë i dyti më i votuar.
Në radhët e PD-së në kryeqytet, listën e kryeson Lulzim Basha me 2259 vota, vetëm 6 më shumë se Belind Këlliçi që renditet i dyti.
Te LSI-ja, lista kryesohet nga Përparim Spahiu me 544 vota, e dyta renditet Floida Kërpaçi me 427 vota, ndërsa e treta renditet kryetarja e kësaj partie Monika Kryemadhi me 276 vota. Kryemadhi nuk e rrezikon mandatin, duke qenë se dy kandidatët që aktualisht janë të parët e kanë të vështirë të arrijnë herësin prej 13900 votash.