Luftë ndaj RENEA-s, mësohet krimi i Jonuzit në 1997

Mëngjesin e sotëm, 47-vjeçari Xhevahir Jonuzi, i cilësuar si një ndër 8 personat më të rrezikshëm të Vlorës hapi zjarr ndaj forcave të Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre por mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit.

Ekipi i Reneas i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”. Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”.

Mësohet se Xhevahir Jonuzi në bashkëpunim me Anton Alliu, kanë vrarë për motive te dobëta në 25 mars 1997 me armë zjarri kallashnikov (automatik) shtetasit Shezai Belaj dhe Shkëlqim Gurhanaj. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.

47-vjeçari Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë. Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre. Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.

SHKARKO APP