Lulëzimi i kanabisit, Veliu: Strategji e re për identifikimin e parcelave
“Ne synojmë që brenda muajit qershor, përpjekja e Policisë së Shtetit me kanabisin të mbyllet”. Kështu u shpreh më 9 qershor të këtij viti, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, teksa i la porosi të prerë drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë. Nëse qershori iku me vapën e gushtit, tokat me kanabis janë të tejmbushura dhe puna e kërkuar nga ministri nuk është mbyllur.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, thotë se metodologjia e punës për gjetjen e sipërfaqeve të mbjella me kanabis ka ndryshuar. Në bashkëpunim dhe me Guardia di Finanza, Veliu nënvizoi se tashmë policia mund të gjejë dhe parcela hashashi mes pyjeve, gjë e cila më parë ka qenë mjaft e vështirë.
Gjatë diskutimeve të projektbuxhetit në Komisionin e Sigurisë, kryetarja Ermonela Felaj tha se Ministria e Brendshme ka parashikuar në buxhet rikonstruksionin e një sërë godinash të prefekturave, por nga ana tjetër komisariatet kanë më shumë rëndësi, pasi një pjesë e tyre janë të amortizuara. Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi rritje apo trajtim financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Por Lleshaj duke folur për fenomenin e kultivimit të kanabisit, ka thënë edhe se fjala kanabizim është e tepruar pasi norma e kultivimit është në nivelin e një vendi normal. ”Kanabisi nuk është më një problem shqetësues në Shqipëri, kanabisi është një problem në Shqipëri siç është një problem në çdo vend tjetër normal sot. Është afruar shumë me parametrat normal. Raporti i fundit i KE thotë se Shqipëria është i vetmi vend që i nënshtrohet një monitorimi nga një palë e tretë siç është Italia”, tha Lleshaj për ”euronews”.
Në bilancin e tij, ministri i Brendshëm iu referua të dhënave që vijnë nga autoritet italiane, ku gjatë vitit aktual tha se është bllokuar në total një sasi prej më pak se 1 ton kanabis. ”Këtë vit janë kapur vetëm 900 kg në Itali për vitin 2020. Ka një numër më të madh të asgjësuar bimësh. Në këtë fushë sa më shumë të kontrollosh gjasat janë për të gjetur”, deklaroi ai.
Pyetja që shtrohet sot është se si është e mundur që policia i ka të gjitha këto informacione, e di se ku janë fushat me kanabis, e di se kush e mbjell, kush e trafikon dhe prapë nuk merr asnjë masë? Apo tashmë do të rend pas qytetarëve nuk vendosin maskat. Kur askush nuk lëvizte në rrugët e Shqipërisë dhe kryeministri reklamonte rrugët e zbrazura, trafikantët lëviznin të lirë nga toka dhe nga deti. Edhe sa viktima do të shtohet për pazaret e kanabisit? A ka dalë situata jashtë kontrolli? Paratë e drogës sipas opozitës kanë blerë zgjedhjet e fundit. Edhe pse u hapën dosje të bujshme me emra politikanësh, asnjë prej tyre nuk u përball kurrë me këtë akuzë. Zgjedhjet e vitin 2021 po afrojnë.
Kurse më herët, Presidenti Ilir Meta, foli i shqetësuar për rikthimin e kanabisit në periudha zgjedhore, sipas tij, duke e cilësuar këtë një traditë të njohur e që përdoret si mjet përfitimi për grupet kriminale që marrin përsipër kontrollin elektoral të qarqeve të caktuara. ”Bosët e vërtetë kurrë nuk preken, por shpesh për të prodhuar statistika fiktive, arrestohen gra dhe burra të moshuar, si grup i strukturuar kriminal”, theksonte Meta.