Luljeta Bozo tërhiqet nga deklarata për Enver Hoxhën: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist
Inxhinierja e njohur, Luljeta Bozo, kryesuesja e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës ka folur për herë të parë pas debatit që shkaktuan pohimet e saj se Enver Hoxha dhe komunizmi kanë pasur më shumë anë pozitive sesa negative.
Luljeta Bozo ka theksuar se deklaratat e saj janë shtrembëruar për qëllime politike. Bozo ka korrigjuar deklaratën e saj pasi nuk u shfaq më në ekrane për disa ditë më radhë, ndërkohë që në një intervistë për ‘JavaNews’ ajo është shprehur se: “diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator”!
“Unë kam një jetë të jetuar me parimet e me punën time dhe bindjet e mia as nuk i kam negociuar, as kam ndërmend t’i negocioj në këtë moshë me askënd! Për më tepër nuk kam ndërmend të merrem me ata që merren me shtrembërimin e fjalëve te mia, për qëllime të rëndomta politike. Diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator.
Por refuzimi i çdo relativizimi të krimeve të diktaturës, nuk më pengon dot të vlerësoj me respekt shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri. Pafuqia për të mos e parë atë kohë vetëm bardhezi është sindromë e sërvilëve apo spiunëve të atëhershëm, që janë “xhelatët” e mendimit ndryshe të këtyre 30 vjeteve.
Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe. Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje për ta”, ka thënë Bozo.