Lulzim Basha i sabotuar nga “garda e vjetër” në PD

 

Nga Nikoll Lesi.

Lulzim Basha nuk ia doli të fitoj betejën e parë me mazhorancën. Nuk e fitoi numërikisht, porse në sensin e ngjitjes si lider politik dhe të një kulture të re që përçoi ishte fitues. Ishte beteja e parë e popullit opozitar demokrat pa liderin historik dhe natyrisht që do të kishte një stepje të madhe të militantëve, të cilët janë mësuar me një figurë si Berisha e nuk mund të dilnin edhe nga skutat e fshatrave për të ardhur e votuar PD-në.  Një faktor tjetër humbje i 21 qershorit mbetet se strukturat e PD-së deri në fshatin me të largët akoma janë të pa riorganizuara dhe të mefshta,sepse vazhdon për inerci goditja e  qershorit 2013 dhe influenca e ish kupolës antiBasha.

Por Lulzim Basha ka edhe një urdi nga “garda e vjetër” të cilët nuk e duan. Bëjnë sikur e respektojnë formalisht, porse kur dalin nga selia e PD-së mendojnë se si ta sabotojnë. Natyrisht nuk dalin krejt hapur se kanë frikë Berishën, që edhe tani ka një “hanxhar” të madh në tavolinë dhe ua pret kokën. Kundërshtarët që ndryshe thonë në selinë blu e ndryshe telefonojnë mbështetësit e tyre nuk janë dosido në PD. Ata janë ish-ministra, deputetë e ish-deputetë, ish-drejtues institucionesh kushtetuese të shtetit, janë kryetarë degësh në rrethe. Nuk janë pak, diku tek 10 % e PD-së ose aqsa për të shkaktuar humbjen Lulzim Bashës , por edhe të vetë selisë blu.

Çfarë mund të bëjë Lulzim Basha para këtyre “ujqërve të vjetër”? Nuk i heq dot, pasi edhe Berisha sikur nuk i do të larguar, ndonëse nuk iu beson. Atëhere përderisa beteja politike e rradhës dhe vendimtare për fatin e Bashës janë zgjedhjet politike të vitit 2017 duhet të filloj të hap PD-në me shoqërinë civile, bile edhe me ata që nuk vdesin për PD, por duan rrëzimin e qeverisjes së dyshes Rama-Meta. Të filloj e të projektojë listë deputetësh jo me militantë partiakë, pavarësisht se  një përqindje duhet. Të bëjë kontratë me figura publike e që kanë impakt në shoqëri, ndonëse nesër nuk janë që votojnë me symbyllur qeverinë e re të Bashës, nëse nuk bindën. Më mirë me këtë kategori civile se edhe qeverisja do jetë më ligjore e më e drejtë. Nëse Basha don fitoren e opozitës ka nevojë të ndryshojë shenjëstrën e përzgjedhjes së njërëzve që do të kandidojë, pasi në vitin 2017 do të ketë përballë një dyshe të egër Rama-Meta, si dhe diku tek 50 e ca kryetarë bashkish,të cilët janë “qeveritë rajonale”. Është betejë më ë vështirë se kjo e 21 qershorit që sapo kaloj.

Nëse PD don pushtetin dhe Lulzim Basha fitoren e karrierën në selinë blu ka nevojë për të gëlltitur dhe për t'u hapur . Për të qenë më miqësor edhe me ata që nuk mendojnë si ty, por ama kanë individualitetin e tyre.  Në të kundërt me ato “galloshet e vjetra”, të cilat prapë do ti ketë nëpër këmbë, nuk mund t’i fitoj zgjedhjet politikë të vitit 2017. Me ata që vetë demokratët nuk i votojnë, se kanë vjedhur edhe në emër të tyre, nuk fitohen zgjedhjet. Nuk të beson njeri.

Nuk është vetëm fati i Bashës në vitin 2017. Edhe i PD-së dhe krejt opozitës, i krejt elementit oponent. Po ra Basha, PD-ja do të ndahet në tre- katër parti të vogla e me nga një vulë në xhep, ku sejcili do të bëjë pazar me pushtetin e radhës, duke e denigruar forcën e parë opozitare në një formacion të përçarë bashibozukësh.

Nuk humb vetëm PD. Humb shoqëria, pasi opozita është një forcë që ndalon pushtetin të mos bëhet uzurpues, porse edhe rregullon qeverisjen. Opozita e fortë dhe e besueshme mbetet nesër pushteti që vjen në vend të pushtetit që degradon. Opozita është shpresë për shoqërinë. Natyrisht një Opozitë jo si kjo që ka sot PD, por një seli blu më e emancipuar dhe e besueshme.Një Opozitë që të pranoj edhe brenda vetes oponencë civile e të hapur.  

SHKARKO APP