Lulzim Basha:Jam ndryshe nga paraardhësi im (Saliu)

 

 

Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmë në emisionin e Blendi Fevziut. I pyetur nga gazetarët për mënyrën e protestës dhe të reagimit në raport me qeverinë ai tha se “unë jam ndryshe nga paraardhësit e mijë në opozitë”, duke lenë të nënkuptohet se tashmë PD-në e ka në dorë tërësisht në drejtimin e saj dhe se do të bëhet siç mendon ai. Pra Lulzim Basha ,ndonëse nuk e tha emrin e Sali Berishës, me plot gojën nënkuptoi se PD tashmë drejtohet krejt ndryshe nga koha e ish-liderit. Ai foli për mosbindje civile dhe ishte i vendosur për ta rrëzuar qeverinë Rama me popullin e revoltuar, por edhe pranoi, si rrallëherë, se edhe në kohën e PD-së kishte krim, mafie, korrupsion etj. Kjo është një kurajo që duhet përgëzuar, nëse e ka thënë sinqerisht. Por pyetjet që lindin janë shumë.

Si do të jetë ndryshe Basha në raport me Berishën? Do të jetë me bashkëpunues kur flitet për të mirën e vendit? Nuk do të kërkojë ta marrë pushtetin me dhunë siç tentoi Berisha në shtator 1998 kur u vra Azem Hajdari apo nuk do të emëroj më në lista deputetë kriminelë siç vendosi edhe Edi Rama? Apo nuk do të diktojë me autoritet diktatorial partinë të cilën ia dhuroi vetë Saliu? Si do ta drejtojë nesër qeverinë kur të jetë kryeministër i Shqipërisë, duke mos emëruar ministra servilë e shërbëtorë partiakë? Nuk do të ketë pasionin e Saliut për të patur gjithçka nën kontroll në hierarkinë shtetrore ?

Janë shumë pyetje që Lulzim Basha ka nevojë të shpjegohet me mirë në ditët në vijim, pas protestës së fundit, ku ndonëse kishte shumë popull, përsëri ia “pshurrën” paksa disa nga brenda PD-së që e çuan tek bunkeri për të djegur e thyer xhamat e dy ministrive.

Lulzim Basha është e vertetë se mbetet krejt ndryshe nga Saliu. Më i edukuar dhe me më zemër njeriu se sa parardhësi i tij. Por në kushtet e një Shqipërie e cila është shumë larg një demokracie liberale, siç u edukua vetë Basha në Hollandë, këtu duhet paksa të jesh “revolucionar demonstratash”. Dhe këtë nuk e ka Luli. Këtu nuk është si Berisha.  Kreu i sotëm i PD-së i njeh bathorianët, por nuk don ti përdorë, kurse Saliu me një të fërshëllyer mblidhte krejt Mamurrasin e Kamzën , me kuç e me maç, siç thonë labët.

Që nuk është si parardhësi kjo nuk do shumë sy për ta parë. Por problem mbetet se një parti politike ka nevojë për udheheqje karizmatike. Është Edi Rama në PS, por nuk ka të dytë edhe për shumë vite në atë parti që të ketë karizmën e tij. Ky popull të ndjekë edhe për mënyrën se si ia servir “kulaçin” dhe në këtë pikë Berisha ishte mjeshtër. Demokratëve edhe pa “kulaç” përpara i bënte të fantazonin se hanin kulaç floriri. I ngrinte peshë, pavarësisht se nuk është ajo udha e drejtimit në këtë dekadë ku jemi. Njërëzit janë emancipuar, shkolluar, nuk besojnë shumë tek klasa politike, tek elita politike e sotme e ndaj duhet një mënyrë e re drejtimi e këtu Basha ka të drejtë.

Por a do të lenë të drejtojë PD-në? E vështirë me ato ujqër që sillen nëpër oborrin e selisë blu. Mbrëmë u hodhi urën e zjarrit kopesë së ujqërëve ne PD, por kush do digjet nëse nuk i fiton zgjedhjet e rradhës apo të parakohshme siç po kërkon përditë?

Saliu nuk digjet, gjithsesi ! Ka shtatë lëkura.

 

 

SHKARKO APP