Lumë gjobash në vend/ Kamerat e fshehta, policët civilë dhe radarët kapin mijëra shkelje dhe ndëshkojnë 4666 shoferë

Policia e Shtetit bën me dije se Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, duke përdorur kamerat e fshehta, radarët dhe policët civilë ka evidentuar dhe ka gjobitur një numër të madh shkeljesh të ndodhura nga shoferët në rrugë.

Këto masa janë ndërmarrë nga uniformat blu me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i policisë:

Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në 12 Drejtoritë Vendore të Policisë, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkooltestues dhe dronë, po vijon kontrollet në lëvizje në akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.

Gjatë tri ditëve të fundit në të gjithë vendin janë konstatuar dhe arrestuar 26 drejtues mjetesh, nga këta:

21 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa leje drejtimi;

Janë pezulluar 151 leje drejtimi, nga të cilat 107 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 44 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu janë vendosur 4666 masa administrative, të ndara si më poshtë👇:

885 masa administrative për parakalime të gabuara.

656 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.

445 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara.

461 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit.

197 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.

1556 masa për parkim dhe qëndrim të gabuar.

466 masa për shkelje të tjera të përcaktuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Polici e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi gjatë fundjavës lëvizjet në disa akse rrugore janë më të shtuara, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

#MosUbejStatistike
#RregullKujdesDurimDestinacion
#NeJemiAtyPerSigurineTuaj

SHKARKO APP