Lumi Vjosa del nga shtrati, përmbytje dhe situatë kritike. ARRSH apel shoferëve: Vendosni zinxhirë

Dalja nga shtrati i lumit Vjosa ka shkaktuar dëme të shumta, ku ka banesa nën ujë dhe qindra ha tokë po ashtu. Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, thotë se situata është kritike kjo pasi argjinatura në urën e Mifolit është çarë. Mamaj tha se niveli i ujit në lumin Vjosa është në pikë kritike dhe rrezikohen banesat e tjera. Në zonën “Bishti i Malit”, aks që lidh Vlorën me Selenicën ka prezencë të ujit në rrugë dhe patrullat janë në terren duke informuar drejtuesit që të mos kalojnë pasi është e rrezikshme. Ka pasur dëmtime edhe në urën e Llakatundit dhe Kallaratit.

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako duke dhënë detaje mbi situatën në Fier tha se nuk ka përmbytje masive, por në zonën e Ferrasit disa zona janë përfshirë nga uji, duke bërë që banorët të evakuohen.

“Strukturat kanë qenë gjitha natës në qarkun Fier dhe Vlorë dhe kanë marrë masa për të evituar çdo problematikë apo shqetësim të banorëve. Aktualisht niveli i ujërave ndihmës ka kapur nivelin maksimal, por nuk kemi përmbytje. Në Ferras janë disa banesa që janë prezencë uji, janë evakuuar 3 familje. Janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitete e strukturave lokale dhe vendore. Tashmë mund të themi se nuk kanë rrezik. Pritet intensitet në rënie në prurjet e Vjosës, ç’ka reflektohet në nivelin që po bie në Memaliaj. Në Vlorë nuk paraqiten probleme është punuar gjithë natës, është mbyllur një çarje e argjinaturës e cila mund të sillte probleme serioze”.

Lezhë

Edhe në qarkun e Lezhës ka probleme serioze nga reshjet e dendura të shiut që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona. Emergjencat Civile raportojnë se deri më tani janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë depresive të kënetës Kakarriq, nj.ad. Balldren, bashkisë Lezhë.

Lajmi i fundit që vjen nga terreni është se në Çiflig si pasojë e rreshtjeve të dendura të shiut, mësohet se 50 banesa janë të rrethuara nga uji.

Shi, borë dhe rrëshqitje dherash në juglindje, këshillohet lëvizja me zinxhirë

Shi, borë dhe rrëshqitje dherash në juglindje të vendit. Fshatra të tërë po ashtu po vuajnë prej 48 orësh mungesën e energjisë elektrike. Mungesë të energjisë ka në Gorë, Moglicë, Kolanec, Zboqëri ndërsa mësohet se grupet e punës ndodhen në terren për të rikthyer energjinë.

Në Pogradec prej 48 orësh pa energji janë dy njësi administrative Dardhas dhe Trebinjë dhe 6 fshatra në njësinë Proptisht. OSHEE thotë se është duke punuar por në asnjë nga tre njësitë energjia nuk është kthyer deri më tani.

Në Dardhë trashësia e borës ka shkuar deri në 70 cm, ku mjetet duhet të jenë të pajisura me zinxhirë, ndërsa Voskopoja dhe Qafa e Qarrit nuk kanë probleme me kalueshmërinë e mjeteve pasi bora varion nga 5 deri ne 15 cm.

Akset nacionale aktualisht janë të hapura dhe nuk paraqiten probleme me përjashtim të disa rrugëve dytësore rurale në të cilat mund të qarkullohet vetëm me zinxhirë.

ARRSH apel shoferëve: Ulni shpejtësinë, vendosni zinxhirë

Autoriteti Rrugor Shqiptar, thotë se qarkullimi vazhdon normalisht në të gjitha akset nacionale. Këshillohen drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje, të reduktojnë shpejtësinë dhe po ashtu të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.

“Në Rajonin Jugor dhenë Rajonin Qendror reshjet kanë pushuar kontraktorët kanë punuar me mjete borëpastruese dhe kanë bërë shpërndarjen e kripës në ato segmente ku ka pasur prezencë bore. Në Rajonin Verior gjatë natës ka pasur kryesisht reshje shiu, pa sjellë probleme me qarkullimim e mjeteve, është punuar në Qafë Mali-Fierzë për pastrimin e aksit. Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, shkruan ARRSH.

SHKARKO APP