Lyhen fasadat e pallateve në Fushë Krujë

18 mijë banorë dhe dhjetëra biznese të Fushë Krujës janë përfitues të të parit projekt në 25 vite, për rehabilitimin e fasadave të 22 pallateve dhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të shiut. Projekti me vlerë 23 milion lekë mbështetur nga Qeveria shqiptare në kuadër të programit  “Rilindja Urbane“ për qytetin e Fushë Krujës. Ndërkohë një vit më parë në Krujë, së bashku me Fondin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Ministria e Zhvillimit Urban punoi për rivitalizimin e zonës së Pazarit, ku rruga e financuar nga FONDI I ZHVILLIMIT TE RAJONEVE  ka lehtësuar lëvizjen e automjeteve dhe autobusave të turistëve për në Kala shoqëruar edhe me parkimin dedikuar vizitorëve të saj.

Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni gjatë vizitës së saj në njësinë administrative të Fushë Krujës, pjesë e Bashkisë Krujë tha se, kjo bashki do të ketë brenda këtij viti planin e saj të përgjithshëm vendor, çka do të ndikojë në zhvillimin ekonomik.

“Bashkia e re e Krujës është një nga 26 bashkitë , që qeveria shqiptare po mbështet për hartimin e 26 planeve të përgjithshme vendore. Puna ka  filluar dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër,  kjo bashki do të ketë planin e ri vendor, i cili do të ketë ndikimin e tij pozitiv në zhvillimin e një prej zonave me potencial të madh turistik”, tha Ministrja Gjermeni.

E shoqëruar nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, Ministrja e Zhvillimit Urban është takuar me përfaqësues të grupeve të interesit, ku ka diskutuar lidhur me impaktin që projektet e zbatuara në Fushë Krujë kanë patur veçanërisht në përmirësimin e klimës së biznesit lokal dhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Ministrja Gjermeni garantoi mbështetjen për projektet konkurruese që Bashkia Krujë dhe çdo Bashki tjetër në vend do të paraqesë për t’i dhënë një pamje të re qyteteve shqiptare.

 “Për vitin 2016-të buxheti për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve është 9 miliard Lekë, prej të cilit  4.4 mld lekë do të përdoren për financimin e zbatimit të 106  projekteve të miratuara për infrastrukturën vendore dhe rajonale në vitin 2015-të dhe që vijojnë zbatimin edhe në 2016-tën. Ndërkohë për vitin 2016-të me fondin e mbetur prej katër pikë gjashtë miliard Lekë do të vijohet me financimin e projekteve të reja në varësi të thirrjeve për projekte”, deklaroi mes të tjerash Ministrja.

Në dy vite Fondi i Zhvillimit të Rajoneve u transformua në një mekanizëm dinamik,  duke administruar një portofol prej rreth njëzetë miliard Lekësh, nga ku rreth 12 miliardë Lekë ka qenë vlera e financimit për zbatimin e 205 projekteve, në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe ato bashki, të cilat ndër vite nuk kishin marrë investime. Ministria e Zhvillimit Urban si Sekretariati Teknik i FZHR do të vijojë me monitorimin e projekteve në zbatim dhe atyre që do të miratohen në vijim sipas propozimeve të sjella nga vetë bashkitë.

Sipas Ministres Gjermeni, projektet e financuara, siç është edhe rasti i projektit të inspektuar këtë të mërkurë në Fushë Krujë, por dhe ato që do të financohen dhe zbatohen në 2016-tën do t’i japin një tjetër dimension zhvillimit të qyteteve  për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve në funksion të infrastrukturës urbane, krijimit të më shumë hapësirave publike me standarde bashkëkohore.

Kryebashkiaku Bushi tha se në projektet e Bashkisë që ai drejton për vitin 2016 është edhe ndërtimi i dy shkollave në Fushëkrujë dhe Borizanë apo edhe rivitalizimi  i qendrë së qytetit historik të Krujës.

SHKARKO APP