Ma@akra në Memaliaj/ PD i kërkon dorëheqjen, Balla flet për përgjegjësi të policisë: Në një vit u parandaluan 163 ngjarje kriminale

Masakra me 3 të vrarë dhe 2 të plagosur në Memaliaj, e gjeti ministrin e Brendshëm, Taulant Balla përballë deputetëve në komisionet parlamentare. Për Ballën, ngjarja e Memaliajt nuk mund të jetë njësi matëse për të vlerësuar punën e policisë, ndonëse pranoi se ka përgjegjësi për situatën mes forcave blu. ”Vlerësimi i performancës së policisë nuk mund të bëhet mbi ngjarje të caktuara. Unë jam po aq zemërthyer edhe ngjarjes së fundit në Memaliaj. Padyshim që policia duhet të marrë përgjegjësinë për çdo jetë të humbur”, tha ministri Balla.

Në Komisionin e Ekonomisë, ku prezantoi projektligjin për Policinë e Shtetit, Balla foli me shifra të ngjarjeve të parandaluara në një vit nga blutë. ”Vlerësimi i performancës së Policisë së Shtetit në çdo vend nuk bëhet mbi ngjarje të caktuara. Unë jam zemërthyer për ngjarjen e Memaliajt, por të mos harrojmë asnjëherë që këto ngjarje me gjithë përpjekjet e policisë për të ndaluar ngjarje, dhe këtu po jap një shifër, nga 15 korriku 2023, ngjarje të ngjashme si kjo të parandaluara janë 163. Në gusht 2023 një ngjarje e njëjtë në Lungomare në Vlorë”, tha ai.

Partia Demokratike reagoi përmes nënkryetarit Luçiano Boçi, i cili e quajti bilanc lufte fundjavën që lamë pas, duke ngritur gishtin e akuzës mbi ministrin e Brendshëm, për të cilin thotë se përfaqëson ‘bursën e kriminalitetit’.

“Shqipërisë i vjen era barut, ndërkohë që ministri parfumos me postime të parapërgatitura të brendshmet e qelbura të sigurisë dhe rendit. Shqipëria ka marrë pushimet, por të vetmit që nuk pushojnë janë kriminelët. Dorëheqja e ministrit Balla është kërkesa më e vogël. Një ministër-garantor i krimit nuk mund të japë garanci për sigurinë e qytetarëve”, tha Boçi.

SHKARKO APP