Macron: “Të rishikohet shengeni”. Sa rrezikohen qytetarët shqiptarë?

Nga Mentor HOXHA (Paris)
Sulmet terroriste të ditëve të fundit në Francë dhe në Vjenë të Austrisë ku u shënuan viktima të shumta ka detyruar Presidentin e Francës, Emmanuel Macron për të forcuar kufijtë e Francës përreth Zonës Shengen. Dje pasdite, ai bëri një vizitë në zonën kufitare Le Perthus në Pirene në kufirin me Spanjën ku deklaroi një dyfishim të forcave të sigurisë në kufi. Forcat e sigurisë së kufirit nga 2400 aktualisht, do të shtohen në të ardhmen me 4800 policë, truproja kufitare dhe forca ushtarake. Këto masa merren prej tij për të parandaluar përsëritjen e sulmeve terroriste dhe për të frenuar emigracionin e paligjshëm në Francë, ku në vendin e dytë renditen azilantët shqiptarë për nga numri i kërkesave për azil në tokën e frankëve.
Gjatë kësaj vizite, ai u bëri thirrje edhe vendeve anëtare të të Bashkimit Europian që të forcojnë rregullat e lëvizjes në Zonën Shengen duke u kërkuar marrjen e masave serioze lidhur me forcimin dhe ruajtjen e kufijve të Zonës Shengen. Por se ç’farë do të rekomandohet dhe cilat do të jenë masat që do të ndërmerren nga ky samit nuk dihet akoma me saktësi. Ajo që dihet është se do të ketë masa të ashpra dhe kontrolle të vazhdueshme dhe strikte ndaj të gjithë qytetarëve që do të lëvizin në Zonën Shengen për të parandaluar emigracionin ilegal dhe terroristët.
“Jam në favor të një rishikimi të thellë të Shengenit, pra të rimendohet organizimi i tij dhe të rritet siguria në pikat tona të përbashkëta kufitare”, -u shpreh Macron. Qëllimi është që të kufizohet migrimi ilegal në sfondin e rritjes së rrezikut nga terrori. Macron tha se një kërkesë të tillë do t’ia propozonte Bashkimit Europian gjatë samitit që do të organizohet në dhjetor.
Masa të rrepta në lidhje me ruajtjen e kufijve, janë rmarrë edhe nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Austria, e cila nxori ushtrinë në rrugë pas sulmit terrorist të para pak ditëve. Këto masa merren pas akteve të fundit terroriste në Nisë të Francëes ku u vranë barbarisht tre persona, dy gra dhe një burrë dhe pas sulmit terrorist në Vjenë të Austrisë me katër të vdekur dhe 22 të plagosur.
Qysh në prag të zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së më 2019, Macron pati kërkuar reformimin e hapësirës Shengen duke propozuar polici të përbashkët kufitare, një autoritet europian për çështjet e azilit, si dhe kushte të rrepta kontrolli. Macron, thekson, se kjo nuk drejtohet kundër Islamit, por kundër terrorit. Javën e kaluar Franca pas një atentati me thikë në Nicë me pasojë tre të vdekur vendosi shkallën e lartë të alarmit dhe e dyfishoi numrin e forcave ushtarake të anti-terrorit në mbi 7000. Një tunizian 21 vjeçar në një kishë në Nicë vrau në mënyrë brutale tre vetë. Në Francë jeton komuniteti më i madh mysliman në Europë. Njëkohësisht Macron u përpoq që t’i zbusë tensionet e krijuara me vendet myslimane. Në një shkrim për “Financial Times” ai siguron, se Franca nuk ndodhet në luftë kundër “Islamit”. Franca lufton kundër “separatizmit islamik, por kurrë kundër Islamit”, -theksoi Macron./Koha Jonë

SHKARKO APP