Mafia shqiptare do blejë 40 anije, Italia vë alarmin

 

Një dokument i prodhuar nga shërbimet sekrete italiane dhe tejet i rezervuar, ka vënë pak ditë më parë alarmin për rikthimin e mundshëm të mafias shqiptare të trafikut të klandestinëve.

Dokumenti që iu është shpërndarë edhe shërbimeve të tjera dhe që mban siglën “Tepër sekret” është publikuar nga opinion.al.

Në të jepen të dhëna për “biznesmenë” shqiptarë të lidhur me segmente politike, të cilët kanë shprehur interes për blerjen e të paktën 40 anijeve në Itali, që kushtojnë deri në 40 milionë euro.

Ata konsiderohen si grupe kriminale të njohura nga shërbimet italiane përgjatë viteve 1997-2000, por që paraqiten si biznesmenë.

“Disa grupe kriminale shqiptare, të njëjta si në periudhën 1997 – 2000 dhe të njohura shumë mirë nga ne në Shqipëri, kanë pyetur për çmimin dhe kohën e ndërtimit të 40 anijeve (20 në fillim dhe 20 më pas). Bëhet fjalë për anije me motor shumë të fuqishëm (më e pakta me 3 prej 200 hp secila) për një aktivitet të tyrin të papërcaktuar në të ardhmen”, thuhet në dokumentin e shërbimeve sekrete italiane.

Më pas dokumenti sqaron se një grup i këtyre që ai i quan “biznesmenë”, sipas të dhënave të shërbimeve sekrete, ka vizituar disa kantiere në Itali e më herët në Greqi për të parë tipin e anijeve, koston dhe kohën e ndërtimit të tyre.

Ky grup, sipas dokumentit, nuk ka dhënë asnjë shpjegim dhe ka sqaruar se këto anije duhen për qëllime biznesi e mbase edhe turizmi. Më tej sqarohet se një pjesë e këtyre “biznesmenëve” kanë edhe lidhje të forta politike.

Një tjetër dokument sqaron se kostoja e një anijeje të tillë mund të shkojë minimalisht në 1 milion euro, dhe ngre pikëpyetjen se kush do të investojë 40 milion euro dhe me ç’përfitim?

Në dokumentin e dytë thuhet se mundësia më e madhe është që të jetë rikthyer edhe një herë linja kriminale e trafikut të klandestinëve, në një moment që çështja e refugjatëve sirianë është shumë e mprehtë dhe kërkesa ekziston.

Nuk dihet ende nëse pala shqiptare ka dijeni për këtë dokument të shërbimeve sekrete italiane.

SHKARKO APP