Magjepja e lojës së Robert Radojës, zjarm shpirtshëm Gjuhadolin, e kall Shkodrën

Albert Vataj

Shkodra tue dasht me rilind, bash fort po don me i besu vetëm njatij shpirti qi e pruni n’jetë ate, artit, muzikës, zanit dhe gazmimit shkodran, i cili për faleminers Zotit ka nis me u gjallnu n’Gjuhadol, e n’tan Shkodrën, tue shpërfaq shpirtin shkodran dhe gjithçka që njasaj nahije merr jetë, për me u ba nji traditë dhe një përfaqësim dinjitoz vlerash e njiktij vendi, njiksaj Shqypnie.
Edhe kësaj fundjave, në Gjuhadol, dhe jo vetëm, ka gjallnu jeta e natës, kanë këndu e kërcy, gazmu e pi, me nji ndryshim, me pasurimin e kësaj mramje shkodrane nga loja e virtuozit, Robert Radoja.

Për tan njata qi nuk e njohin, Robert Radoja asht një muzikant dhe kompozitor i njohun për kontributet e tij n’muzikën e kinemasë dhe televizionit. Ka kompozu muzikë për një numër të’madh filmash, asnipse t’prodhum gjatë periudhës së socializmit, por edhe mbas tue ken njejt i madh në virtuozitet dhe shpirtin krijus.

Gjithashtu, Radoja është i njohur për stilin e tij t’veçantë dhe për përdorimin e melodive që mbajnë elemente tradicionale t’muziks shqiptare, por me nji përpunim modern, të përshtatshëm për filmat dramatikë dhe historikë, por edhe për pasurimin e traditës sonë muzikore me një trajtesë novatore, njaq sa dhe të guximshme, jo tue e tjetërsu, por duke e pasunu e tue i dhan asaj nji frymëmarrje ma rinore, edhe pse ai i ka do vite në shpin, por shpirtin e ka flak t’ri.

Robertin e kam pa dhe taku disa herë në Tiranë, dhe gjithmonë në atë ecjen e tij të prajshme e hapat e ndrojtur, shikimin e thellë e zanin e butë. Asht në gjithçka të tijën një njeri i mirë dhe një artist i madh. Sa i thjesht aq dhe dashamirës, thue se e ka t’pamujtun me u majt në t’madh e me kallzu se kush asht. Jo, shkon e vjen njashtu i heshtun por tue lanë përmas harmoninë e muzikës së tij.

Fundjava kësohere e gjeti atje, ku, “Shkodra din me dashtë të bukren e me respektu artistët e vërtetë!”
Rozafa Shpuza e ka përcjellë këtë moment të pranisë dhe lojës së tij, e si ndryshe vetëm si nji shkodrane, si nji poete:
“Me hap t’avashtë e me tanë fisnikërinë e mirësinë që munden me mbajtë ato shpatulla të kërrusuna tashma, avitet aty ku shpirti i gjen paqe… Tingujt e hareshëm, atmosfera në atë cep të Gjuhadolit e krijueme nga nji prej bandave muzikore ma t’mira n’Shkoder… e ban me u ndalë maestron.
E s’ka ma medyshje… tingujt e muzikës thejnë çdo barrierë. S’ka nevojë as për afishe, as për skena kabahe, as për propagandë… JO! Njerezit çohen në kambë, e duartrokasin, e urojnë, e dojnë, këndojnë tanë bashkë nën ritmet perfekte që dijnë me luejtë gishtat e të madhit Robert Radoja…
Faleminders maestro që ishe mik n’Odë
Faleminders Albert Naraçi, Lorenc Radovani, Gjon Shllaku, Gezim Mesi që i jepni vlera Shkodrës”, shkruan në profilin e saj Rozafa Shpuza, e cila e përcjell këtë shpërfaqje malli dhe dashnie, krijimi dhe vërtetësie vlerash që ditën me kenë e me mbetë vetëm nalt, e me u gazmu e me u lumtunu, e ku tjetër ma bukur e ma hyjshëm se sa në Shkodër, njatje ku lindën e ju dhanen përjetësisë një yjësi e pamat shkreptimash talenti dhe shpirti krijus.

SHKARKO APP