Majko: Nuk ka ndodhur ndonjëherë të blejnë votën socialistët

 

Kandidati i së majtës Erion Veliaj përmbylli sot fushatën me banorët e njësive 5 dhe 10 në Tiranë. Në mbështetje të tij ishin deputetët Xhafaj dhe Majko

Fatmir Xhafaj ka ftuar qytetarët ta votojnë më 21 qershor. “Erioni është njëri prej jush, ka pasion të luftojë, kurajo, ambicie për të punuar për ta bërë jetën më të mirë. Më 21 qershor votoni Erion Veliaj”. Ai tha më tej se, Partia Socialiste është Partia e shpresës, besimit dhe e projekteve.

Majko tha se “Sot në këtë shesh të mbushur si asnjëherë tjetër, i themi Tiranës se ka nisur festa e fitores së PS dhe koalicionit të saj”, tha Majko. Sipas tij, “1 milion shqiptarë si asnjëherë tjetër do të japin një mesazh, një kumt të qartë ashtu si ky liqen, që furnizohet nga shiu, ashtu si votat tona do ta mbushim kutinë e votimit me numrin 6, do votojnë për ëndrrën që vjen”.

Duke iu përgjigjur akuzave që vijnë nga kampi blu, Majko u shpreh se “Shpresa fillon tek vota e lirë dhe e ndershme, pavarësisht se ata thonë po blejnë votën, nuk ka ndodhur ndonjëherë të blejnë votën socialistët, të trokasin tek dera me para. Të kthejmë kokën mbrapa dhe të shikojmë ku ka nisur ky zakon, tek ata që kanë rënë nga fiku dhe duan të hypin sërish duke na akuzuar për atë që jo vetëm ndërkombëtarët por të gjithë i tregonin me gisht”. “Tek 5 lidhet besa, tek pesa fillon fshesa, tek pesa fillon festa, ftoj jo kandidatin, por kryetarin e bashkisë së Tiranës me 1 milionë banorë”.

SHKARKO APP