Makina e së vërtetës, Lleshaj i “paduruar”: Të niste me mua
Në një aktivitet që u zhvillua paraditen e sotme në Ministrinë e Brendshme, janë certifikuar sot 5 ekspertët e paarë që do të përdorin makinën e së vërtetës në vendin tonë.
Këta 5 poligrafë do të jenë pjesë e SHÇBA-së, dhe do të nisin nga puna duke marrë në testim edhe kandidatët për Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH, ose ndryshe FBI-ja shqiptare. Në këtë garë tashmë kanë mbetur 18 kandidatë, nga 40 qe kishin shprehur interesimin fillimisht.
E pranishme në këtë takim ishte dhe ambasadorja Yuri Kim, e cila tha se të gjithë anëtarët e BKH-së do ti nënshtrohen poligrafit, ndërsa i quajti ekspertët një armë më shumë në dorën e drejtësisë shqiptare.
“Jam shumë e kënaqur për të certifikuar suksesin e 5 studentëve. Instruktorja e tyre ka vlerësuar në mënyrë të përsëritur përkushtimin e tyre dhe disiplinën.
Është një moment i rëndësishëm në jetën e të diplomuarve por edhe një moment i rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Shqipëria ka ligjin e ri, ligjin e SPAK që kërkon që të gjithë punonjësit e BKH t’i nënshtrohen poligrafit.
Ata janë një tjetër armë në arsenalin e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, një tjetër mundësi për të forcuar shtetin ligjor.
Jemi këtu për të përuruar edhe njësinë e poligrafit në SHÇBA. Kjo njësi do fillojë të kryejë kontrollin e kandidatëve për drejtimin e BKH”, deklaroi ambasadorja Kim, ndërsa shtoi më pas: “SHBA-të qëndrojnë me qeverinë shqiptare për të larguar korrupsionin nga sistemi i drejtësisë penale. Dua t’iu them të diplomuarve ‘unë besoj tek ju’ dhe dua t’i them popullit shqiptar ‘unë besoj tek ju’’.
Ndërkohë që më entuziasti në takim ishte ministri Lleshaj, i cili tha se do të donte që testi i së vërtetës të niste me të.