Makinat e vjedhura si ”armë” për ekzekutimet mafioze, zonat e kuqe në Shqipëri

Rritja e numrit të makinave të vjedhura dhe lidhja e tyre me tregun e vrasjeve në vendin tonë, është në numra të frikshme. ”Vetëm në muajin e parë të këtij viti (2021) janë regjistruar 5 vepra penale të tilla. Nga këto janë zbuluar 3 ngjarje, ndërsa dy të tjera janë pa zbuluar. Për këtë arsye është bërë edhe një analizë më e thellë, ku janë përcaktuar edhe zonat me risk të lartë. Ka rezultuar që zona e Komisariatit 6, kryesisht në zonën e Astirit dhe territori i Komisariatit 4, kryesisht zona e Freskut, të jenë më të predispozuara ndaj këtij fenomeni”, deklaron për Oliger Torba, shef i Komisariatit nr.1 në Tiranë.

Këto grupe i përdorin makinat e vjedhura për ngjarje të tjera kriminale, si p.sh., vrasje dhe vjedhje të përmasave të mëdha. Këtu mund të përmendim grabitjen e Rinasit. ”Ne kemi bërë një studim, nga ku kemi dalë në përfundimin se grupe kriminale, përveç vjedhjes së automjeteve, i përdorin ato për ngjarje të tjera kriminale. Këto grupe po mbahen në mbikëqyrje, ndërkohë një pjesë e madhe e tyre janë arrestuar dhe aktualisht janë para drejtësisë. Këto vepra kryhen nga mosha të mitura. Problemi është se në kodin e procedurës penale dënimi për këtë vepër është 6 muaj deri në tre vjet. Kjo bën që këto personat kur dalin, ta bëjnë sërish këtë vepër kriminale. Megjithatë, nga ana tjetër për policinë është me e lehtë për t’i gjetur, sepse kemi informacion nga e kaluara për ta”, thotë shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë.

Gjatë vitit 2020 u regjistruan një seri ngjarjesh kriminale të kryera me automjete të vjedhura. Përgjithësisht pasi kryhet krimi, makina digjet nga kriminelët. Vjedhja e makinave po lulëzon më së shumti brenda territorit shqiptar. Qytetet kryesore me pikat më të mëdha ku çmontohen makinat janë Fushë-Kruja, Tirana, Durrësi dhe Vlora.

Makina të vjedhura hyjnë edhe nga jashtë kufijve shqiptarë. Në këto raste ky treg funksionon i organizuar që nga vendi që vjen e deri tek blerësi. Futja e këtyre makinave bëhet nga vet drejtuesit e tyre. Ata lidhen me grupin shqiptar i cili iu gjen edhe blerësit. Pasi makina shitet, shtetasi i huaj largohet nga Shqipëria dhe e deklaron më pas makinën të vjedhur.

Mënyra se si po lulëzon tregu i makinave të vjedhura në vendin tonë tregon se tashmë është kthyer në një biznes të mirëfilltë fitimprurës. Fakti që këto makina po përdoren edhe në tregun e vrasjeve në Shqipëri, është një kambanë alarmi se ky nuk është më aktiviteti i shitjes në pjesë, siç zakonisht e etiketojnë në zhargon shitje-blerjen e makinave të vjedhura. /A2cnn/

SHKARKO APP