Makthi në Kapshticë, 130 euro për person për të kaluar në Greqi
Rikthehet makthi i pritjeve të emigranteve shqiptarë. Nga mbrëmja e së shtunes në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë filluar të krijohen radhë, pasi autoritet kufitare greke, nuk lejojnë kalimin e më shumë se 300 personave në ditë, kusht ky i vendosur për shkak të pandemisë së Covid-19.
Situata e radhëve në pritje ka vijuar edhe gjatë ditës së dielë, ku policia kufitare shqiptare njoftoi që në orën 8 të mëngjesit që ishte plotësuar kuota prej 300 personash dhe se nuk do të lejohej më askush të kalonte nga Kapshtica.
Emigrantet shqiptarë shprehen të shqetësuar pasi përveç datave për rifillimin e punës, u skadojnë edhe aplikimet që bëjnë për të kaluar si dhe përgjigja e testeve që kanë bërë për Covid-19. Aplikime këto që një personi i kushtojnë plot 130 euro.