Malaj: Korrupsioni është një fenomen shqiptar që nuk ndjek vetëm drejtësinë

 

 

Kreu i Gjykatës së Apelit në Tiranë Alaudin Malaj deklaron se nuk është vetëm sistemi i drejtësisë që vuan nga korrupsioni.

Duke folur në një intervistë për Tonight Ilva Tare ai e sheh problemin tek shoqëria shqiptare në përgjithësi.

Korrupsioni në gjyqësor

“Jeta e çdo gjyqtari ka qenë e turbullt në Shqipëri, në të gjitha kohërat.Sot jemi në një pozitë të vështirë nga krimi i rrugës dhe anatemimi i publikut. Drejtësi e munguar dhe korrupsioni janë dy gjëra të ndryshme. Korrupsioni është një fenomen shqiptar që nuk ndjek vetëm drejtësinë. Dje pashë në lajme që anatemohej mjekësia, arsimi, politika. Problemi kyç është gjithë shoqëria shqiptare”.

Gjyqtarët duhet të kenë një marrëveshje me shkrim me shtetin

Malaj thotë se shteti duhet të ketë një marrëveshje me gjyqtarët për ti kontrolluar por dhe për ti mbrojtur në momente të vështira.

“Sistemi i drejtësisë në Shqipëri nuk ka qenë i qetë asnjëherë për të ushtruar detyrën e tij. Nuk kam ardhur të mbroj gjyqtarët e korruptuar, por duhet ti etiketojmë cilët janë. Të bëhen publikë. Gjyqtarët duhet të kenë një marrëveshje me shkrim me shtetin, këtu duhet ta fillojmë reformën në drejtësi, ku të lejojnë shtetin ti kontrollojë për çdo gjë dhe në çdo gjë. Kur u hodh ideja e heqjes së imunitetit të gjyqtarëve që asnjëherë nuk i ka mbrojtur, pasi janë sulmuar. Të ketë dhe një mbrojtje të tillë politike. Mbështetje nga e gjithë shteti në momente të vështira, që i riskohet jeta, familja, puna. Nga ’93 e deri sot sistemi gjyqësor ka përparuar. Sistemi i drejtësisë është shërbim ndaj publikut për atë që i takon.

Po të them një fenomen të gjykatës së Apelit në Tiranë, kur erdha në 2011 në atë gjykatë kishte një kontroll nga Ministri i Drejtësisë dhe dilnin 12 gjyqtarë me arsyetime jashtë afatit 1 mujor, sot mund të jetë 1 apo 2 . Dhe e dini kush është, ai gjyqtar që ka mbështetje politike që nuk arsyeton vendimet. Ta fillojmë luftën ndaj korrupsionit me një kontroll të thjeshtë ndaj gjyqtarëve për sa kohë e japin arsyetimin e vendimit”.

Perceptimi i publikut nuk mund të jetë gjithçka

“Gjyqtarët e Apelit të Tiranës janë gjyqtarët më të mirë të kësaj republike. Arsyetimet e Gjykatës së Apelit, ka një unison të gjithë gjyqtarëve për arsyetimin e vendimit të gjykatës. Vendimet e Gjykatës së Apelit janë në një nivel shumë të lartë. Ka nevojë për ndërhyrje sigurisht. Ka dy momente, për çfarë po hyjmë të bëjmë një sistem reforme në drejtësi? Gjyqësori ka dy momente ana proçeduriale e çështjes dhe ana themelore e gjykimit, që është bindja e brendshme e gjyqtarit. Këtu nuk duhet të ndërhyjë njeri, po arritëm të ndërhyjmë nuk do kemi më gjyqtarë. Bindja e brendshme e gjyqtarit e mbështetur në provat ligjore duhet të jetë kultura e gjyqtarit dhe këtu duhet të jetë presioni i gjithë shtetit. Perceptimi i publikut nuk mund të jetë gjithçka”.

Dënimi i gjyqtarëve për bindjen e brendshme i jep fund drejtësisë

“Janë dënuar gjyqtarët. 340 janë gjyqtarë, sa mund të dënohen, kush është thyerja e ligjit te gjyqtari, për bindjen e brendshme do e gjykosh?Atëherë kalojmë në një sistem tjetër, as komunist nuk është. Duhet ta dënojmë gjyqtarin për veprimet e tij të pasjellshme dhe mitmarrjen. Kur të dënohet gjyqtari për bindjen e brendshme në Shqipëri nuk do ketë më drejtësi”.

Dokumenti analitik qesharak, ekspertët e lartë pjesë e sistemit

“E kam ndjekur me vëmendje reformën në drejtësi, kam qenë pjesë aktive në një pjesë të vogël. U nis me një propagandë të madhe mediatike, media përkrahu politikën për të bërë një drejtësi të kulluar. U bë një analizë e gjithë sistemit të drejtësië për 25 vite, qesharake mu duk mua. Shqiptarët i dinin problemet që kishin me sistemin e drejtësisë. Pse nuk mori iniciativën një politikan ose kryetari i komisionit të ligjeve të bënte vetëm një arsyetim. Kush janë shkaqet? Nuk e bëjnë se nuk kanë interes. Po të kishin do të gjenin shkaqet ligjore, jo reformë mbi anatemimet.Në një nga këto analiza thoshte ka probleme me shortin. Ngaqë këta nuk komunikojnë me gjyqësor marrin informacion që është hedhur shorti me hile, shorti është llotari bëhet me kompjuter, nuk mund të bëhet ndërhyrje. Ekspertët e lartë kanë qenë pjesë e sistemit. Problemet nuk lindën sot. Analiza dihej, ishte shumë e lexueshme. Këta u titulluan ekspertë të lartë, kush ua dha titullin? Këta janë vetëm 10, Shqipëria ka 10 mijë e ca juristë”.

Venecia do t’ia japë drejtësinë një klase politike kundër të tjerëve

“Nuk mund të hyj tek qëndrimi i Venecias, por jam i sigurt që Venecia nuk do të thotë dot që drejtësinë në Shqipëri  ta marrë në dorë një klasë e caktuar politike kundër të tjerëve. Këtë nuk do ta thotë dot, të tjerat do ti thotë.E kam lexuar pjesën e reformës”.

Ndryshimi i kodeve ka shkatërruar sistemin e drejtësisë

“Sa i takon ekspertëve të lartë nuk mund ti konsiderojmë të tillë, Shqipëria njeh njerëz të tjerë që janë shumë më të zhvilluar nga ana profesionale. Ka profesora të drejtës që kur ulet gjyqtari për ta dëgjuar e dëgjon me ëndje. Nuk jam dakort me ta. Dëgjova në lajme që një pjesë e ekspertëve nuk e dinin fare që ky  është produkti  i reformës. Ndryshimet që i janë bërë kodeve në të gjithë kohërat kanë shkatërruar komplet sistemin e drejtësisë. Pra nuk vjen vetëm nga gjyqtarët, vjen nga ligjet. Sot kemi tre ligje, ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, ligji 7501 për tokat bujqësore dhe ligji për ALUIZNI-n. Për shkak të këtyre tre ligjeve vazhdojnë konfliktet edhe sot.Mund të kenë dhe 20 vjet që vazhdojnë gjyqet.Përpara ardhjes në pushtet të forcës së majtë, ka qenë PD në pushtet, janë bërë disa vendime në Kushtetuese. Një nga vendimet i hoqi të drejtën shtetit që të bënte padi për të mbrojtur pronën e vet, e shfuqizoi ligjin dhe i ktheu edhe njëherë palët nga e para në gjyq. Produkti politik nuk ka qenë asnjëherë i plotë, u quajt një nga atentatet e Kushtetueses”.

Politika nuk mund të jetë më e interesuar se gjyqësori për reformën

“Nëse do kishim arritur në një konsultim të gjithë aktorëve, sepse nuk mund të pranojmë ne që një deputet është shumë i intreresuar për sistemin e  drejtësisë dhe një gjyqtar, avokat apo prokuror jo”.

Reforma në drejtësi jo për të kënaqur Europën, por për tu shërbyer qytetarëve

“Negociatat për integrim janë kategori tjetër, detyrat nuk i ka gjyqësori por qeveria.Për mirëedukimin e gjyqtarëve kemi shkollën e magjistraturës. Politika me reformën e re po i shërben mirëedukimit të gjyqtarëve duke i futur jashtë shkollës së magjistraturës në sistem, siç është bërë ligji? Dëgjoj që flitet për kursin 6 mujor, çfarë po bën politika e re, po e bën 1 vit. Diferenca çfarë do jetë? Do jetë i njëjti produkt, e njëjta skemë. Nuk është problemi të kemi një reformë që të kënaqet Europa, por ti shërbejë qytetarëve, kjo ëshë diferenca”.

Akuzat e Ramës, Gjyqtarët flasin me vendime jo konferenca shtypi

“Gjyqtarët flasin me vendim gjyqësor, nuk janë të pregatitur për të dalë në konferenca shtypi dhe për të sharë. Kemi tre pushtete, po shajmë njërin dakord, po këta dy të tjerët çfarë po bëjnë? Më thoni në një rast se cilët gjyqtarë kanë mbrojtur njëri-tjetrin. U kap gjyqtarja e Lezhës me një vlerë të papërfillshme, 300 mijë lekë. Ju caktua masa e sigurisë nga vetë gjyqtarët, po dënohet nga vetë gjyqtarët. Nëse do ishte korporatë nuk do ishte dënuar. Mund të jenë kapur njerëz nga ekzekutivi me 300 mijë lekë korrupsion dhe as janë dënuar fare”.

Shqipëria duhet të unifikojë 60 praktika gjyqësore që kombi të flejë i qetë

“Sot drejtësia që të fitojë besimin te publiku e bën brenda një viti, duke forcuar gjykatën e lartë me gjyqtarë profesionistë. Shqipëria ka  nevojë për unifikimin e 60 praktikave gjyqësore që ky komb të rrijë qetë. Vendime unifikuese të një niveli të lartë funksional”.

Kthimi i Kushtetutës në formatin e ’98? Problemi është tek zbatimi

“Jo më kot kanë ndodhur këto ndryshime edhe të Kushtetutës, është parë që ka çaluar. Mund të bënim një zgjidhje tjetër, të mos ndryshonim Kushtetutën por ligjet që ishin në përshtatje me Kushtetutën duke pasur një bonsens për zbatimin e ligjshmërisë. Problemi nuk është se nuk është e shkruajtur por nuk e  zbaton njeri Kushtetutën”.

Gjyqtarët në panik, niveli i zbatimit të ligjit në pikën më minimale

“Atmosfera është për të ardhur keq. Gjyqtarët janë totalisht të frikësuar, të gjithë po presin të largohen në dhjetor nga puna. Gjyqet po bëhen jo në mënyrën e duhur. Ka filluar një “shthurje” e madhe. Ne gjyqësorin në Shqipëri na e prish kategoria e gjyqtarëve që ka markim politikën, ajo që mbrohet nga politika. Ka gjyqtarë që marrin leje te deputeti për të zgjidhur një çështje.Që nuk ka ndodhur më parë ndonjëherë.Është e papranueshme. Sot niveli i zbatimit të ligjit në Shqipëri ka arritur nivelin më minimal për shkak të këtij presioni nga të gjitha krahët, politika është një pjesë e këtij presioni”.

Prokuroria në pozita pune

“Puna e prokurorisë matet me vendimet gjyqësore. Në çështjet që kanë ardhur në  gjykatë për shqyrtim, numri i çështjeve të cilat kanë marrë pafajësi mund të jetë 2-3%, pjesa tjetër është dënuar. Kjo tregon se Prokuroria është në pozita pune”.

Ndikimi politik në drejtësi

“Në katër vjet si kryetar i Gjykatës së Apelit nuk më ka marrë në telefon asnjë politikan. As ish kryeministri Sali Berisha, as Edi Rama, as Ilir Meta e as Presidenti Nishani.

Sot gjyqtarët nuk kanë garanci as për jetën e tyre. Jemi shoqëri hakmarrëse”.

Malaj i përgjigjet Vlahutin për orët dhe makinat e shtrenjta të gjyqtarëve

Malaj: Dëgjoja një ditë Ambasadorin gjerman dhe komisioneren Vlahutin dhe thoshte është e papranueshme që gjyqtarët kanë ora dhe makina të shtrenjta. Më lindi ideja vetvetiu aty : “Çfarë kupton zonja Vlahutin aty me makinë të shtrenjtë dhe më orë të shtrenjtë?!”

Tare: Nuk dua të përmend lloje markash por ka disa ora që janë të papërballueshme

Malaj: Çfarë vlere janë ato që kjo i konsideron objekte luksi, në vlerën e rrogës së asaj që merr këtu në Shqipëri apo mbi rrogën e asaj në muaj?! Këtu fillon diferenca e madhe pastaj mes nesh.

Tare: Ju bëni diversion?

Malaj: Jo nuk bëj diversion . Unë po them që jam bërë kurioz për këtë pjesën e zonjës Vlahutin dhe më vjen mirë në fakt që ajo e sulmon gjyqësorin, atë ka këndvështrimin e saj. U bëra kurioz dhe pyeta gjyqtarë. I mora në telefon : “Çfarë makine ke ti, çfarë makine ke ti tjetri? “. Më dilnin të gjitha makina të vjetra, dilnin poshtë 2010.Thashë makinë 6 vjet ta quash makinë luksi sikur nuk shkon, aq më tepër në sistemin e sotëm që makinat 3-4 vjet pastaj hidhen poshtë , nuk ekzistojnë më. Të quash makinë luksi një makinë të vitit 2008 është e papranueshme për mua.

Tare: ‘Jo sigurisht ndoshta 2008 nuk është luks por 2015 është luks”

Malaj: “Sigurisht por nuk ka asnjë gjyqtar me vitin 2015 të paktën aq sa kam unë në dijeni.Nuk asnjë gjyqatar me orë nga këto që nxjerrin në media.

Tare: “Për rolexin e ke fjalën besoj ose Cartier?”

Malaj : ” Por Cartieri fillon nga 3500 Euro dhe mbaron në miliona euro. Nuk e di sepse nuk jam bërë ndonjëherë kurioz të marr vesh vlerën.”

Tare: “Varet nga diamantët që ka . Mund të jetë dhe 500 mijë euro.”

Malaj: Nëse gjyqtarët i kanë me diamante unë jam dakort me ju për këtë pjesë. Nëse se ka me diamantë duhet ti kërkojnë të falur publikisht atij gjyqtarit.Dhe të shohin dhe falsitetin e saj nëse është origjinale ose false.Mund të jetë nga këto kinezet që bëjnë 200 euro.

Tare: Po në rastet e tjera se nuk është vetëm një gjyqtar që e ka?

Malaj: Më vjen keq. Një rast ka dhënë media nuk ka dhënë 10 raste media shqiptare për ora.I bie e padrejtë.Luks i madh të kesh orë Cartier.

Tare: Nuk është . Ju vet çfarë ore keni?

Malaj:  Unë skam fare. Jam rehat.

Tare: E paskeni zgjidhur këtë punën e orës

Padia e ILDKP për pasurinë

“U ndjeva i shokuar në momentin  e parë se kam 12 vjet që deklaroj pasurinë vit për vit, kontrollohem çdo tre vjet.Ai ka vendosur në kundërshtim me ligjin të më publikojë mua në media për pasurinë time. Pasuria më e madhe është familja ime. Sot kam të ardhurat e pagës dhe bordeve, bashkëshortja ka të biznesit të noterisë, prindërit e mi të bizneseve të tyre.Nuk ësstë disfatë e madhe të jesh fëmijë i dy prindërve shembullorë. Më kanë bërë të mos jem i varur asnjëherë prej njeriu dhe të mos i bie në qafë njeriu. Nuk jam futur në ndonjë çështje për ti ndihmuar në biznesin e tyre. E kanë filluar biznesin në ’93. Njerëzit afër politikës janë mësuar që pa punë të bëjnë milionat, ndaj u bien në qafë gjyqtarëve. Prokuroria vazhdon hetimet”.

 

SHKARKO APP