Malaj: Nga çdo krizë, Shqipëria del më e varfër
Për ish Ministrin e Financave Arben Malaj, pandemia e koronavirusit e gjeti botën të papërgatitur dhe ky fakt bën që të shtohen paqartësite dhe pasiguritë.
I ftuar në emisionin ”360 gradë” nga Artur Zheji në ”RTV Ora”, Malaj tha se nga çdo krizë vendet dalin më të varfëra dhe paketat e qeverisë shqiptare nuk kanë arritur të bëhen të prekshme për qytetarët.
Arben Malaj: ”Sigurisht që gjithçka varet së pari nga vlerësimet që do të japin ekspertët e mjekësisë. Në varësi nga kohëzgjatja dhe në varësi nga shkalla e shtrirjes së pandemisë, do të identifikohen edhe kostot për ta menaxhuar periudhën derisa të ndihmojmë ekonominë të ringrihet dhe vjen faza më e vështirë që të kapim nivelet e para krizës dhe të merret përgjegjësia e menaxhimit të pasojave të krizës në aspektin afatmesëm.Ajo që do të theksoja që në fillim është fakti që gjithmonë ne këshillohemi që në qoftë se paqartësitë rriten dhe pasiguritë shtohet, qeverisja e vendit bëhet më e vështirë.
Në këtë aspekt edhe për shkak të mënyrës se si u shfaq kjo pandemi, edhe për debatet që ka mes ekspertëve për shkak të fillimeve të ndryshme në vende të ndryshnme, nuk kishte një veprim të sinkronizuar global, dhe ky mos sinkronizim i rriti paqartësitë, pasiguritë dhe kostot për të menaxhuar krizën. Nga çdo krizë vendet dalin gjithmonë më të varfëra. Janë 3 kolona kryesore ku pasojat e krizës manifestohen. E para janë të papunët, të paaftët dhe të varfërit. Qeveria shqiptare ka aplikuar dy paketa. Akoma nuk ka arritur në pjesën që të bëhen të prekshme dhe shifrat duhet të bëhen serioze.”