Malaj: Sikur Shqipëria të ishte ndryshe, ku fëmijët, kujdesi dhe mbrojtja e tyre të ishte kryefjala dhe jo PPP-ja
Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Nora Malaj deklaron se sikur Shqipëria të ishte ndryshe, ku fëmijët, kujdesi dhe mbrojtja e tyre të ishte kryefjala dhe jo PPP-ja.
“Sikur Shqipëria të ishte ndryshe!
Sot në emisionin “Shqipëria Live”, në Top Chanal, trajtuam një temë aktuale , makabre që tregon se sa tragjike dhe vrastare është bërë jeta e fëmijëve sot në Shqipëri.
Folëm për ngjarjen tragjike të Beratit, ngacmimin seksual të vajzave të mitura 5 dhe 7 vjeçe nga fqinji i tyre 48-vjeçare, që në gjykatë prani se i kishte joshur të voglat me karamele.
Sa e dhimbshme dhe tragjike , po ja që duhet të përballemi e të flasim e veprojmë në mbrojtje të fëmijëve dhe familjes që po shkërmoqet çdo ditë para syve tanë.
Asnjë institucion ekzistent për të mbrojtur dhe ruajtur fëmijët nga pedofilët, përdhunuesit që gjenden në komunitet dhe në rrethet e të njohurve.
Asnjë besim nga komuniteti te institucionet e ligjit dhe atyre që mbrojnë e garantojnë të drejtat e njeriut.
Asnjë punë në komunitet, po vetëm llafe- llafe, para mediave dhe pergjegjësisë i bishnojnë të gjithë.
Ato janë dy vajza të vogla, me dy prindër që i duan e kujdesen për to, me ëndrra që nesër vajzat e tyre të bëhen të zonjat e vetes. Por ja që jeta nuk qenka si në film. Ëndrrën, një dorë vrastare, ua këput në mes. Është dora e xhaxhit fqinjit, që gjithnjë e kemi parë, si te jetë “i pari vëlla” , kur kemi halle e nevojë, por edhe kur kemi gëzime, që u shndërrua në një djall të errët, të zi dhe vetëm për një çast, jetën nga të bukur, ua ktheu në ferr, të miturave të vogla, që do t’ju duhet shumë kohë që traumën e fortë ta kalojnë, nëse do të marrin shërbim të speciaizuar, që nuk jam e sigurt a do të mundet ky shtet prej letre, se realiteti është ndryshe, t’ia ofrojë falas familjes, vajzave të mitura, por edhe prindërve të tyre, që po kalojnë momentet më tragjike, midis ngjarjes, fëmijëve e traumës së tyre, po dhe “turpit”, që nuk iu takon atyre, po që babai e ndjen së brendshmi, pasi ka frikën e përballjes në traditë dhe komunitetin, se mos vajzat ngelen me “turp”??
Për një moment, të vihesh në rolin e prindit dhe jo vetëm ta imagjinosh, po ta ndjesh sikur ky tmerr po i kalon familjes tënde, çfarë do të beje?!
Askush mos e imagjinoftë e jo më ta provojë këtë situatë tragjike që i ndodhi kësaj familje. E të mos harrojmë motra e vëllezër, që askush nga ne nuk është i imunizuar nga kjo shkallë e lartë e dhunës seksuale që ka muaj dhe po shfaqet agresive ne vendin tonë.
Dhe imagjinoni ,sa e madhe është ne nje vend me nje popullsi kaq të vogël, ku komuniteti njihen me njëri-tjetrin, thashethemi është krye-gjella që mbush jetën tonë sociale dhe heshtja përballë disa të vërtetave dhe fshehja është arma që vret dhe më shumë. Teksa bashkëbisedonim sot në emision brenda vetes ndjeja dhimbje. Tashmë nuk duhet vetëm të bashkëbisedime, por të hidhemi në veprime konkrete. Nuk dua të merrem me shtetin, se atij i ka rënë automati dhe është në ikje, nuk dëgjon se veshët ia kanë zënë zullumet, nuk shikon se vështrimin ia ka zënë makuteria për vjedhje, nuk lëviz dot kokën se zverkun ia kanë zënë oligarkët, nuk lëviz dot këmbët, se këmbët ia ka zënë kolltuku që ka frikë ta lëshojë. Shteti i kapur sot ka frikën e pushtetit në ikje dhe sajon një mijë e një alibi për të vjedhur dhe ligjëruar vjedhjen e votës.
E përtej këtij shteti që është i oligarkëve, vogëlushet sot duan vëmendjen e të gjithëve, tënden, tonën, të profesionistëve, të familjarëve, të komunitetit dhe prindërit dy herë, të përdhunuar e traumatizuar, duan vëmendjen dhe ndihmën konkrete të pushtetit lokal, të institucioneve të specializuara, si dhe dënimin e merituar të pedofilit të degraduar.
Edhe pse sot folëm, prapë jemi shumë larg së mbrojturi e ruajturi jetës së fëmijëve tanë.
Duhet të lëvizim si një uragan për të mbrojtur familjen, fëmijët tanë.
Minimalisht, të gjithë ju prindër, nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër, teze e daja, xhaxhallarë e halla, diskutojeni këtë rast me fëmijët tuaj, mos moralizoni, as traumatizoni, po bëhuni prindër të kujdesshëm dhe këshillojini e flisni me fëmijet tuaj, që e keqja mos të zërë rrënjë.
Se fëmijët i kemi si sytë e ballit dhe duhet t’i mbrojmë!
Le të bëhemi prindër të guximshëm dhe të prindërojmë duke u ruajtur familjen tonë të shenjtë!
Se ato janë të mitura, që duan të mbrohen nga ne, duke iu dhuruar qetësi, buzëqeshje, mirëqenie dhe ngrohtësi.
Se ato nuk jam vetëm PRINCESHAT e mamit dhe babit, po janë dhe të çdo njërit prej nesh!
Ah, sikur Shqipëria të ishte ndryshe, ku fëmijët, kujdesi dhe mbrojtja e tyre të ishte kryefjala dhe jo PPP-ja”, shprehet në reagimin e saj, ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj.