Maliqi: Rama po mashtron edhe ndërkombëtarët, marrëveshja e 5 qershorit është hequr nga kalendari i Kuvendit
Deputeti i pavarur Lefter Maliqi ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilit përmes rrjeteve sociale i kujton se donte të ishte “Skënderbe”, por doli “Petkin” dhe Çaplin”.
Teksa i drejtohet me disa pyetje, Maliqi akuzon Ramën si të kapur peng, dhe kjo sipas tij është dhe arsyeja që ai po mban peng reformën zgjedhore apo dhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ndaj dhe ka frikë edhe nga zgjedhjet.
“Kalorës i Rilindjes, doje të ishe “Skënderbe”, por dole “Petkin” dhe “Çaplin”. Pse ke frikë o Trim? Ku ke gabuar kaq shumë që ke frikë nga zgjedhjet? Kush po të mban peng? Ku i ke 1 milionë shuplakat? Pse mban peng Gjykatën Kushtetuese? Pse mban peng Reformën zgjedhore? Pse mban peng institucionet e kapura dhe reformën në Drejtësi?
Ty kush po të mban peng? (krimi, oligarkët, bandat, etj??) Dil nga bunkeri merr frymë thellë…
Skandal: Rama nuk heq dorë nga mashtrimi, aktrimi, gënjeshtrat. Premtimi i Ramziut se me datë 23 Korrik në Parlament do votohej marrëveshja e 5 Qershorit e realizuar në Rezidencën Amerikane e ka shtyrë përsëri dhe nuk është në rendin e ditës në Parlament për datën 23.
A e kupton që mirë shqiptarët i ke gënjyer, mashtruar, varfëruar, shpopulluar, etj, etj., por si i gënjen ndërkombëtarët? A s’e kupton që të doli boja?
A s’e kupton që po bie në gropë të thellë? Po pse me krim, drogë, mashtrim, aktrim, pabesi do qëndrosh akoma në pushtet? Sille shpejt marrëveshjen për votim o ditëzi, se as timon, as tepsi s’po mban dot, po të dridhen duart e këmbët.
Mbahu o burrë, se s’je as i pari as i fundit që e pëson rëndë. Ike plaku Mere, por mos i thello më rëndë gabimet se s’po sheh më nga sytë dhe s’po mbush nga trutë, e ke nga mbingopja”, shprehet deputeti Lefter Maliqi.