Mamaja e Genci Xhixhës tërhoqi mijëra euro në Tiranë…i erdhën nga Panamaja

Personazhi kryesor i këtyre hetimeve është shtetasi Genci Xhixha, nga Tirana, me qëndrim prej disa vitesh në Kolumbi.

Pas arrestimit të nëntë personave në Shqipëri dhe shpalljes në kërkim të Genci Xhixhës në janar 2015, Drejtoria e Pastrimit të Parave ka përcjellë në prokurori një material voluminoz për Genci Xhixhën. Në këto materiale përmendet edhe nëna e tij 64- vjeçare, M. Xhavara.

Shkak i hetimit është bërë fakti se në një periudhe të shkurtër kohore, ata kanë kryer transaksione të shumta parash nëpërmjet agjencive të transferimit të parave dhe përmes llogarive bankare. Këto transaksione po verifikohen, pasi nga të dhënat ka dalë se Genci Xhixha ka dërguar shuma të mëdha parash në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, raporton Panorama.

Raportimi i sektorit të pastrimit të parave në prokurori thekson se paratë që dërgonte Genci Xhixha nga Kuba, Panamaja apo edhe nga Kanadaja, i tërhiqte nëna e tij 64-vjeçare dhe në disa raste edhe nipi i Enver Hoxhës, i arrestuari Ermal Hoxha.

Referuar dyshimeve të Prokurorisë, Ermal Hoxha, mik i Genci Xhixhës, dyshohet se ka tërhequr shuma të ndryshme parash deri në 3 mijë euro të dërguara prej personit në kërkim në lidhje me trafikun e drogës në Xibrakë.

Dyshohet se shuma të mëdha transaksionesh bankare janë bërë nga Kuba e Kanadaja në drejtim të Panamasë. Përshkrimi në urdhërpagesat e bëra nga Genci Xhixha ishte ndërtimi i një spitali dhe të një paneli diellor në Panama. Aktualisht në Shqipëri në llogaritë bankare të lidhura me të janë të sekuestruara vetëm 15 mijë euro të dërguara nga ana e Genci Xhixhës. TEMA

SHKARKO APP