Manastirliu: Do të zbresim fashën për vaksinimin masiv në +60 vjeç

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ndoqën nga afër procesin e vaksinimit të efektivëve të policisë bashkiake, në pikën e vaksinimit në Stadiumin “Air Albania”, ku është duke përfunduar vaksinimi i të gjithë uniformave blu.

”Ne kemi filluar tashmë prej ditësh me efektivët e policisë së shtetit. E kemi shtrirë edhe tek policia bashkiake. Janë tashmë më shumë se 9 mijë efektivë të policisë që janë vaksinuar. Ky është padyshim një sukses sepse në një kohë shumë të shpejtë po arrijmë të mbrojmë shumë qytetarë të rrezikuar të shërbimeve kritike por padyshim edhe gjyshet dhe gjyshërit, të cilët kanë një vit që kanë përballuar jo vetëm stres, por edhe një izolim social nga kjo pandemi”, deklaroi Manastirliu.

Duke nënvizuar se objektivi është vaksinimi i 500 mijë qyetarëve brenda muajit maj, Manastirliu ka bërë me dije se 100,000 dozat e vaksinës së kompanisë Sinovac, të mbërritura dje, do të shpërndahen në gjithë vendin, për të filluar vaksinimi i moshave mbi 60-vjeç.

Duke vlerësuar vaksinimin e policisë bashkiake, Veliaj shprehu mirënjohje për punën e stafeve mjekësore. “Një punë heroike e këtyre njerëzve, që ndoshta ata kanë punën më të stresuar dhe kanë 1/10 e rrogës. Dhe këtu është padrejtësia, kanë 1/10 e rrogës të atyre që i zë stresi nga 5 mijë euro në muaj. Dhe për ta jam shumë krenar. Kjo është Shqipëria e vërtetë. E atyre njerëzve që punojnë kokëulur, që shërbejnë, që e kuptojnë që tani jemi në luftë. Që e kuptojnë që qeveria në momentin e parë që kishte mundësi i rrit rrogat nga 40 %”.

SHKARKO APP