Manastirliu i përgjigjet Bashës për pandeminë: Shqipëria në pozita më të mira se rajoni

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i është përgjigjet akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha në lidhje me menaxhimin që qeveria po i bën situatës pandemike të Covid-19.

”Grafikët që ndihmojnë për interpretimin e këtyre shifrave, duhet të lexohen ashtu siç janë dhe jo të përmbysur. Shifrat reale, ato që mjekët e strukturave drejtuese të partisë së Z. Basha nuk ia thonë, e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion më të mirë, aspak më të keq sesa shumë vende të rajonit, në këtë luftë që ende nuk ka përfunduar dhe bilanci i së cilës, bëhet vetëm në fund”,-shkruan ndër të tjera Manastirliu në facebook.

Ministrja këmbënguli se shifrat e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion më të mirë se sa shumë vende të rajonit, ndërkohë që shpërblimet 1 mijë dhe 500 euro për punonjësit e shëndetësisë janë realitet prej shtatë muajsh dhe do të zgjasin deri ditën e fundit të kësaj pandemie. Reagimi i ministres vjen pak kohë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se situata e pandemisë në vend “është në prag katastrofe”.

Postimi i plotë

Ftoj Kryetarin e Partisë Demokratike, që ashtu siç e pranoi se pandemia që ka prekur mbarë botën nuk ka ardhur prej qeverisë, të reflektojë edhe mbi këto fakte të thjeshta, që hedhin dritë mbi menaxhimin që qeveria shqiptare i ka bërë pandemisë:

🟢 Prej muajit korrik, numri i testimeve është dyfishuar dhe do të vijojë të rritet bazuar në strategjinë tonë për kufizimin e përhapjes së virusit, të hartuar nga ekspertët e Komitetit Teknik në zbatim të rekomandimeve të OBSH. Mbi këtë Strategji bazuar në nevojat reale ekipet e shëndetësisë në terren, testojnë, gjurmojnë dhe izolojnë cdo rast të dyshuar, duke berë të mundur që mbi 80% e rasteve të izolohen brenda 48 orëve.

🟢 Ka një arsye përse Shqipëria ka sot përqindjen më të ulët të mjekëve dhe infermierëve, që janë infektuar, për shkak të Covid19. Nëse do të pyesë stafet mjekësore që shërbimin ua ofrojnë qytetarëve tek koka e krevatit, dhe jo nëpërmjet dritares së Facebook-ut, me siguri do të mësonte se Shqipëria është ndër të paktët vende të rajonit ku mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore nuk kanë munguar për as edhe një sekondë, që kur u shfaqën rastet e para të infeksionit në Shqipëri.

🟢 Shifrat zyrtare të pandemisë nuk mund të ngatërrohen me të njëjtën lehtësi si veprimet e thjeshta aritmetikore. Grafikët që ndihmojnë për interpretimin e këtyre shifrave, duhet të lexohen ashtu siç janë dhe jo të përmbysur. Shifrat reale, ato që mjekët e strukturave drejtuese të partisë së Z. Basha nuk ia thonë, e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion më të mirë – aspak më të keq – se sa shumë vende të rajonit, në këtë luftë që ende nuk ka përfunduar dhe bilanci i së cilës, bëhet vetëm në fund.

🟢 Bonusi prej 1000 Euro për mjekët, infermierët, epidemiologët dhe 500 Euro për sanitarët, shoferët e autoambulancave, është realitet prej shtatë muajsh dhe do të zgjasë deri ditën e fundit të kësaj pandemie.

🟢 E fundit, sa për pagat e mjekëve dhe infermierëve, ata janë shumë të kthjellët për të bërë dallimin mes një rritjeje prej 40% që po bëhet realitet, dhe premtimeve, të cilave po t’u besosh sot, është njësoj si të shohësh shinat e hekurta të tramvajit nëpër rrugët e Tiranës.

SHKARKO APP