Manastirliu: Kanë rënë shtrimet në spitale dhe incidenca, objektivi 1 milion vaksinime

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në seancën e sotme në Kuvend, bëri një pasqyrë të situatës së situatës së Covid-19. Manastirliu tha se ka një rënie të ndjeshme të shtrimeve në spitale.

“Pozitiviteti është tashmë vetëm 4%. Çlirimi gradual i jetës sociale dhe ekonomike duhet të shoqërohet nga kujdesi. Tashmë kemi përgjysmim të incidencës dyjavore dhe ka rënie të ndjeshme të shtrimeve në spitale. Ekspertët e Komiteti janë duke vlerësuar masat, por vendimet do të merren më bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike. Të ecim të vendosur përpara në këto hapat e fundit drejt normalitetit, tha ndër të tjera ministrja.

Ajo tha se 100 mijë qytetarë i kanë kryer tashmë të dyja dozat e vaksinës, teksa nënvizoi se do të vijojë furnizimi me vaksinat anti-covid në ditët e ardhshme. Po ashtu theksoi se objektivi është për 1 milion vaksinime. ”Kemi mbërritur në objektivin tonë të parë prej 500 mijë vaksinimesh të kryera në ditët e para të majit dhe jemi të vendosur të ecim me shpejtësi drejt objektivit të ri, për kryerjen e 1 milion vaksinimeve. Sot janë rreth 100 mijë qytetarë që i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës, duke siguruar një mbrojtje më të mirë nga virusi i rrezikshëm”, deklaroi Manastirliu.

Duke folur për kalendarin e mbërritjes së vaksinave, Manastirliu tha se ”Kemi mbi 730 mijë doza vaksinash që kanë mbërritur në vend. Dhe përgjatë kësaj jave do të kemi edhe 11 mijë e 700 doza vaksine Pfizer, të cilat priten të vijnë. Sikundër vijojmë të furnizohemi përgjatë muajit maj me 99 mijë doza vaksine nga kontrata jonë me Pfizer, instrumentin e Covax, si dhe me një instrument të ri të mbështetjes së Bashkimit Europian, për alokimin e vaksinave për vendet e Ballkanit”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nënvizoi se situata epidemiologjike në vend paraqitet e kontrolluar, por bëri apel për qytetarët, që të vijojnë të zbatojnë rregullat anti-covid. ”Është e rëndësishme që të dëgjoni autoritetet shëndetësore. Fakti që sot janë mbi 400 mijë gjyshe, gjyshër, prindër të vaksinuar, të çliruar nga barra e rëndë e izolimit të këtyre muajve, duhet të na bëjë të gjithëve akoma më të përgjegjshëm, për rëndësinë që ka vaksinimi i shpejtë, për të siguruar mbrojtjen ndaj virusit të rrezikshëm; për të marrë pa mëdyshje, vaksinën e parë që ju ofrohet. Sepse çdo kohë e fituar, është një jetë e shpëtuar”.

SHKARKO APP