Manastirliu: Krenare që jam pjesë e PS-së
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se është krenare që është pjesë e një force politike që sipas saj e ka në gjak progresin. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ku ka shkëputur një foto nga prezantimi i kandidatëve për Tiranën ajo thotë se pavarësisht vështirësive, PS nuk e ka ndalur asnjë çast punën për transformimin e Shqipërisë.
“Krenare dhe thellësisht mirënjohëse, që jam pjesë e një force politike, e cila e ka në gjak progresin. Qeveria e Partisë Socialiste ishte në lartësinë e detyrës, në përballimin e dy sfidave të mëdha: Pasojave të tërmetit dhe pandemisë.
Pavarësisht këtyre vështirësive, ne nuk e ndalëm për asnjë çast punën për ta transformuar Shqipërinë. Shumë punë kemi përpara për t’i bërë realitet ato projekte, që janë pjesë e vizionit të Partisë Socialiste, për Shqipërinë e të ardhmes së fëmijëve tanë.
Më datë 25 prill do të rinovojmë kontratën me qytetarët shqiptarë, sepse ne bëjmë atë që themi dhe premtimet i kthejmë në vepra. Ekipi i Tiranës do të jetë lokomotiva e fitores së Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë”, shkruan ministrja.