Manastirliu me pedagogët e Gjuhësisë: Universiteti, pjesë e trajnimeve të Gjuhës Shqipe

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim me pedagogë të Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Fokusi i bisedës ka qenë strategjia dhe masat e reja për rritjen e cilësisë dhe interesit akademik në fushën e gjuhësisë si dhe bashkëpunimin me këtë departament për trajnimin e mësuesve.

Manastirliu tha se vëmendja e Ministrisë së Arsimit është të Programi Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve dhe për këtë nevojitet edhe kontributi i Departamentit të Gjuhësisë.

“Në 2024 ne kemi vendosur që të trajnojmë 4000 mësues në Shkenca, Gjuhë Shqipe dhe aftësi digjitale, pra TIK. Platforma e trajnimit do të jetë platforma online, por edhe tradicionale dhe sigurisht me mbështetjen tuaj, shpresoj shumë që të kemi sa më shumë rezultate përgjatë këtij viti, për të parë pastaj se ku i kemi edhe ato pika, të cilat duhet t’i forcojmë dhe t’i fuqizojmë në vazhdim. Do të doja që ju të ishit pjesë e trajnimeve të mësuesve në shkollat tona, të jeni pjesë e platformës sonë të trajnimeve se bashku me ASCAP-in, që është Agjencia e Sigurimin të Cilësisë të Arsimit Paraunivesitar, që i kam kërkuar që të gjitha programet që i përkasin trajnimeve më kredite, të mundet të bëhen nga qendrat e universiteteve tona”, tha Manastirliu.

Në thelb të kësaj nisme të ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është edhe ndryshimi i kornizës së kualifikimit për mësuesit, sidomos ata që janë në fillimet e karrierës.

SHKARKO APP