Manastirliu: Mjekët, praktika dyfishe brenda spitaleve, edhe përtej orarit të punës
Spitalet do të kenë autonomi financiare dhe menaxheriale, duke përfshirë për herë të parë kartën e autonomisë spitalore, në ligjin e ri të shërbimit spitalor.
Kështu u shpreh dje ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësinë, duke shtuar se modeli i ri do të ketë efikasitet. Ligji parashikon risi, duke futur konceptin e ri të modelit të autonomisë spitalore.
Një model i cili parashikon të krijojë dy nënmodele: modelin e autonomisë spitalore menaxheriale dhe modelin e autonomisë spitalore financiare, nëpërmjet një instrumenti që e kemi quajtur ‘Kartën e autonomisë spitalore’. Kjo do të bëjë të mundur që spitalet, të cilat janë të përgatitura me burimet njerëzore, të administrojnë në një tjetër nivel qoftë buxhetet e alokuara, por edhe të kenë mundësi të krijojnë mënyra të reja për të vetëfinancuar spitalet, nëpërmjet marrëveshjeve me të tretët”.
Një tjetër risi e ligjit të ri ka të bëjë me praktikat dyfishe, e cila parashikon që mjekët e spitaleve publike të munden që përtej normave dhe kohës së punës, të ushtrojnë në mënyrë private profesionin e tyre.
“Kjo do të sjellë që ne t’i kemi mjekët më shumë brenda spitaleve tona, për t’u kujdesur shumë më shumë për pacientët, edhe përtej kohës së punës. Do të krijojë për pacientët që duan të kenë konsulta ambulatore jashtë sistemit të referimit, një akses më të drejtpërdrejtë në shërbime.
Dhe sigurisht kjo bazuar në kosto dhe tarifa të miratuara, sipas të metodologjive që parashikon ligji dhe që ne jemi duke i punuar në vijim të akteve nënligjore që do të dalin menjëherë pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit të ri për kujdesin spitalor”, tha Manastirliu duke shtuar më tej se modeli i ri i autonomisë spitalore do të pilotohet fillimisht në Spitalin Memorial Fier, për t’u shtrirë më tej në gjithë vendin, bazuar në një planifikim kombëtar spitalor.
Projektligji i ri i hartuar për “Shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë” vjen pas 18 vitesh nga ligji i spitaleve që është në fuqi.