Manastirliu në Berat: Këtë vit nisin ndërtimin e maternitetit të ri
“Këtë vit nis ndërtimi i maternitetit të ri të Beratit, një investim nga buxheti i shtetit”. Kështu u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në spitalin rajonal të Beratit, ku pa nga afër një tjetër investim në proces, rehabilitimin e plotë të pediatrisë së këtij spitali.
”Jemi këtu për një lajm të shumëpritur për qytetarët e Beratit dhe zonave përreth, sepse kemi përfunduar projektin dhe këtë vit jetësohet premtimi i qeverisë për të rehabilituar Maternitetin e Beratit”,-theksoi Manastirliu.
Prej shumë vitesh nuk është vënë dorë në godinën që shërben si maternitet në spitalin e Beratit, e cila këtë vit do të rindërtohet dhe zgjerohet (2 kate), për ta kthyer në një maternitet modern për qarkun e Beratit. ”Në kuadër të politikave tona për përmirësimin e shërbimit për nënën dhe fëmijën, afër vendbanimit, pas ndërtimit të Maternitetit të ri të Korçës dhe Sarandës, këtë vit nisin investimet edhe në maternitetet e Lezhës, Kukësit, Pogradecit, Matit dhe Beratit”,-tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu shpërndau dhe çekun e bebes për të porsalindurit në maternitetin e Beratit, ku deklaroi se 1700 prindër në të gjithë vendin kanë tërhequr bonusin e bebes vetëm për muajin janar. Me një procedurë të thjeshtë, pranë 37 sporteleve në çdo maternitet në vend, familjet që gëzohen me fëmijë, regjistrojnë të porsalindurit dhe përfitojnë menjëherë çekun e bebes, në vlerë 40.000 lekë për fëmijën e parë, 80.000 lekë për fëmijën e dytë, 120.000 lekë për fëmijën e tretë e në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

