Manastirliu në Kosovë: Shkëmbim mjekësh dhe shërbime falas në zonat ndërkufitare
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ditën e sotme po zhvillon një vizitë pune në Kosovë, ku është pritur nga Zv/Ministrja Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dafina Gexha Bunjaku, pasi Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës dr. Rifat Latifi ka patur një ndërhyrje urgjente kirurgjikale.
Në konferencën e përbashkët për mediat u ritheksua angazhimi i dy qeverive për të forcuar bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë. Gjatë fjalës së saj, ministrja Manastirliu tha se brenda muajit qershor, do të finalizohen dy marrëveshje të reja, të cilat cilat synojnë që të ofrojnë më shumë garanci për kujdesin shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Kosovës, me fokus të veçantë në zonat kufitare.
“Së shpejti do të finalizojmë marrëveshjen e re për shërbimin shëndetësor në zonat ndërkufitare nga mjekët e Shqipërisë dhe të Kosovës në spitalet e zonave kufitare. Do të ketë shkëmbim të ndërsjellë të mjekëve mes dy vendeve, ndërkohë që do të ketë bonus për mjekët e Kosovës, që do të ofrojnë shërbim në Spitalin e Kukësit” – tha Manastirliu duke bërë me dije se dy marrëveshjet, do të nënshkruhen në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive Shqipëri-Kosovë brenda muajti qershor.
Marrëveshja tjetër, për të cilën dy palët disktuan dhe u dakordësuan, ka të bëjë me shkëmbimin e barnave, vaksinave, pajisjeve biomjekësore si dhe krijimin e qendrave të përbashkëta për trajtimin e sëmundjeve të rralla.