Manastirliu për mjekun që u gjet i pajetë në shezlong: Mbajti peshën e madhe në këtë pandemi
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale ka reaguar pas ndarjes nga jeta të mjekut Kujtim Shabani ditën e sotme në plazhin e Radhimës. Ministrja shprehet se mjeku ka mbajtur peshën më të madhe në këtë pandemik në urgjencën e spitalit të Korçës.
“Ndarja e parakohshme nga jeta e dr. Kujtim Shabanit, mjekut të përkushtuar të Spitalit Rajonal të Korçës, është një humbje e madhe për familjen, për qytetarët e Korçës të cilëve u shërbeu me devotshmëri dhe për sistemin tonë shëndetësor.
Dr. Kujtimi ka mbajtur peshën e madhe në këtë pandemi në Urgjencën e Spitalit të Korçës, në shërbim ditë-natë për pacientët. Humbja e tij lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm për familjen dhe qytetin e tij! U prehsh në paqe doktor Kujtimi” shkruan ministrja.
Mjeku ndërroi jetë për shkak të një ataku kardiak teksa ishte me pushime së bashku me familjen e tij në Radhimë të Vlorës.