Manastirliu: Shqiptarët në grupin e OBSH-së, po testojnë 3 ilaçet për Covid-19

Për vaksinën kundër pandemisë së Covid-19 po punojnë edhe shqiptarët. Një grup ekspertësh shqiptarë janë pjesë e grupit të OBSH-së, ku po testojnë tre ilaçe kundër COVID-19. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një bisede online me profesorë shqiptar në disa shtete të botës, theksoi se kjo po ndodh për herë të parë në Shqipëri në një kohë pandemie globale.

“Dua t’ju informoj se Shqipëria për të parën herë në një pandemi po merr pjesë në një studim klinik e koordinuar nga OBSH, ku do jenë tre medikamente që po testohen antiretroviral kryesisht dhe po përfshihemi në këtë studim me ekspertët tanë. Do jetë i nevojshëm informacioni që po na jepni, për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe si mund t’i ndryshojmë më shpejt protokollet”.

Profesorët Filip Çaushaj, Erand Llanaj dhe Aldi Pupuleku, të cilët ishin në komunikim me ministren dhe profesorin Arben Gjata, prezantuan platformën shkencore ku gjenden të gjitha informacionet mbi progresin e Covid-19. Duke theksuar se po flasin si mjekë, pa bërë politikë, ato janë shprehur se masat e marra në kohë kanë shpëtuar shumë jetë njerëzish. Madje sipas Llanajt se nëse masat do të merreshin vonë, do të ishin të kota testimet në masë.

E gjitha kjo platformë, Health Development For Albania (HEDA) ku përcillen risitë shkencore mbi COVID-19 për personelin e shërbimit ambulator dhe spitalor, është kontribut i mjekëve shqiptarë në botë, ku siç shprehet Aldi Pupuleku, qëllimi është një: Të fitojmë këtë betejë. “Po punojmë jashtë orarit në mënyrë vullnetare që të japim kontributin tonë sa më të madh që të dalim të suksesshëm nga kjo betejë”.

SHKARKO APP