Manastirliu-Soreca: Së shpejti finalizojmë marreveshjen me BE-në për vaksinat anti-covid

Një marrëveshje për infrastrukturën e vaksinimit dhe rritjen e mëtejshme të dozave të vaksinës anti-covid, pritet të nënshkruhet mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca u shprehën se po punohet për finalizimin e marrëveshjes, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjes së re të skanerit të avancuar, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pjesë e paketës mbështetëse të Bashkimit Europian.

”Sfida e radhës e të gjithëve ne është vaksina. Unë jam shpresëplotë që marrëveshja me BE-në do të finalizohet shumë shpejt. Ne presim javën që vjen, rreth 9 mijë doza të tjera të vaksinës Pfizer. Qeveria ka parapaguar dozat për 800 mijë qytetarë, qoftë nëpërmjet instrumentit Covax, qoftë nëpërmjet kontratës direkte me Pfizer-in”, u shpreh Manastirliu.

Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e QSUT-së, ministrja vlerësoi mbështetjen e vendeve të Bashkimit Europian në këtë vit të pandemisë. ”Kemi nxjerrë shumë mësime këtë vit dhe një prej mësimeve të mësuara është se solidariteti ishte arma e fuqishme, në momente shumë të vështira të kësaj pandemie. Investimet e bëra nga qeveria shqiptare dhe pajisjet e ardhura nga Bashkimi Europian e kanë fuqizuar sistemin tonë shëndetësor, kanë fuqizuar spitalet tona, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë dhe kjo ka qenë një pikë e fortë në menaxhimin e suksesshëm të pandemisë”.

Nga ana e tij, Soreca ka vlerësuar bluzat e bardha në Shqipëri, duke u shprehur se edhe vetë ka zgjedhur të trajtohet nga mjekët këtu. ”Kjo ishte një mbështetje e dhënë për ju, për doktorët, infermieret e Shqipërisë, që kanë qenë në këtë situatë përgjatë një viti pandemie. Dua t’ju them faleminderit në emër të Bashkimit Europian por edhe personalisht, sepse unë kam kaluar vetë Covid-19”.

SHKARKO APP