Manastirliu: Të rinjtë të zgjedhin arsimin profesional, tregu kërkon zanatçinjtë
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ndal gjatë turit të saj të dëgjesave në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Refat Bani”, në Syzezë të Dimalit, në bashkëbisedim të hapur me mësues, prindër e nxënës.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu theksoi se Ministria e Arsimit do t’i japë prioritet arsimit profesional, i cili sipas saj, sot ofron treg pune të sigurt.
Ministrja tha se duhen evidentuar prirjet e nxënësve për të shkuar kështu drejt zanatit, pasi tregu sot kërkon profesionistë.
“Ne duhet të punojmë fort me prindërit, me mësuesit, për të evidentuar ku e ka prirjen fëmija. Duhet që të mundësojmë akoma më shumë fuqizim të arsimit profesional, por edhe vetëdije të prindërve që arsimi profesional është një prej shtyllave të arsimimit, që bën që ata nxënës, të cilët kanë prirje në drejtim të profesionit, të mundet ta zgjedhin atë, të zgjedhin zanatin sot, në një treg pune, i cili kërkon zanatçinjtë, i kërkon profesionistët. Do të fokusohemi te fuqizimi i bërthamave të këshillimit të karrierës për fëmijët në shkollë, duke trajnuar mësuesit, punonjësin social, por edhe duke bërë shkëmbime me universitetin dhe biznesin, që gjithashtu do të mundësojë një tjetër perspektivë për fëmijët tanë”,- theksoi Manastirliu.
Ndërsa prindërit gjatë fjalës së tyre kanë parashtruar kërkesat për laboratorë dhe më shumë bazë materiale në shkollë, duke përfshirë edhe programe të reja, me synim evidentimin e prirjeve të fëmijëve të tyre.