Mandati i Berishës ka rënë, radhën e ka Rama

Sali Berisha nuk ka asnjë mundësi që të hyjë më në Parlament, edhe sikur të mos jetë në arrest shtëpie. Në fund të qershorit Komisioni i Mandateve pritet të shpallë zëvendësimin, si pasojë e mos përmbushjes së funksionit të parlamentarit. Sot jo vetëm deputetë të Fotores, por edhe socialistë kanë hapur fjalë se Berisha nuk mund të përjashtohet pasi mungesa e tij është “me arsye”. Po Parlamenti nuk është shkollë fillore, ku nxënësi thotë se “kam qenë sëmurë dje” apo “nuk pata drita”.

Funksioni i deputetit është një institucion politik që nuk funksionon me ‘leje mjeku’. Ose e bën ose jo. E në rastin e dytë, sipas Kushtetutës, deputeti zëvendësohet nga kandidati i parë i listës.Komedia e “mungesës me arsye” nuk funksionon, e as nuk ka funksionuar deri më sot, pasi kushtetuta ka një përcaktim të qartë. Në momentin që një parlamentar mungon për 6 muaj rresht, i hiqet mandati.

E siç mësohet, Sali Berisha nuk do të mund ta mbrojë mandatin, edhe sikur të djegë të gjithë gomat e makinave të Foltores. Ndaj shpjegohet stresi i Gaz Bardhit dhe i Flamur Nokës dje që kërkonin ta bënin me çdo kusht Sali Berishën anëtar të grupit të PD-së.

Ai përjashtim i shtatorit 2021, nuk ka asnjë gjasë që të kthehet, edhe pse Edi Rama ka tentuar që ta relativizojë. Dy muaj më parë, i ngarkuari me punë i SHBA shkoi në zyrën e Lindita Nikollës, pikërisht për të kërkuar që të mos shkelen procedurat dhe Kushtetuta.

Madje shumë shpejt, pritet të hapet dosja e 21 janarit, të cilën Gjykata e Lartë ja ka dhënë detyrë SPAK-ut. Ndërkohë që Gërdeci është në proces. Brenda korrikut pritet që të ketë një furtunë të madhe ndaj elitës politike, ku mund të shkaktohet një rrëzim real i hierarkisë aktuale. Përkatësisht do të hapen dosjet ndaj Ilir Metës, të tjerat ndaj Berishës, si dhe një zyrtar shumë i lartë i qeverisë do të thirret në SPAK. E ky do të jetë vetëm fillimi. /Pamfleti.

SHKARKO APP