Mandati i Olta Xhaçkës, deputeti Shehaj: Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha provat
Pas seancës për shqyrtimin e kërkesave të dy grupeve të PD-së lidhur me mandatin e ministres së Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, deputeti Agron Shehaj deklaroi jashtë dyerve të Kushtetueses se Gjykata nuk ka asnjë arsye që të mos jetë e drejtë, pasi i ka në dorë të gjitha provat për të marrë vendimin e duhur.
”Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një precedent, standard, atë që të heqë mandatin e deputetëve nëse këta përfitojnë nga prona publike. Gjykata i ka të gjitha provat për të marrë vendimin e duhur. Nëse ka një vendim tjetër që është marrë, ka justifikime, pretekste sa të duam dhe sa të duan për ta marrë atë vendim.
U kujdesa shumë që të mos mbaj një fjalim që të dukej si presion, por fakti është se ne jetojmë në një vend ku mungon drejtësia, ku njerëzit largohen se nuk ka drejtësi sepse mendojnë se njerëzit e pushtetshëm si Xhaçka janë mbi ligjin, të praprekshëm dhe nuk ndëshkohen. Kurse qytetarët e thjeshtë ndëshkohen padrejtësisht dhe të vetmen alternativë që kanë është ajo që të largohen nga vendi”, tha Shehaj.