Mangalli, monoksidi i karbonit dhe rreziku i tyre në shtëpi

Olsi Hajdari pasi la spitalin, u shpreh se ai dhe partnerja e tij, Rezarta, morën mangall dhe fjetën. Të nesërmen, ata u gjetën nga prindërit e Olsit në gjendje të rëndë shëndetësore, ku ndryshe nga 27-vjeçari, Rezarta nuk i shpëtoi dot vdekjes. Siç mund ta keni lexuar, bazuar te raporti mjeko-ligjor, thuhet se çifti u helmua nga monoksidi i karbonit. Sidoqoftë, çështja është ende në hetim.

Çfarë është mangalli?

Mangalli është një enë prej metali, si legen me këmbëza ku ndizet qymyr druri ose mbahet prush për t’u ngrohur.

A mund të helmohesh nga mangalli?

Po, nëse ka pasur prush, i cili lëshon monoksid karboni?

Çfarë është monoksidi i karbonit?

Monoksidi i karbonit (CO) është një gaz i cili gjendet te karburantet e makinave e kamionëve, motorët e vegjël, sobat, gazi, qymyri i durit etj. Ai prodhohet gjithnjë kur digjet një lëndë djegëse.

Nëse çifti u helmua me monoksid karboni, të çliruar nga djegia e prushit në mangall, pse prindërit e Olsit nuk deklaruan se nuhatën një aromë të çuditshme në dhomë?

Monoksidi i karbonit është një gaz pa aromë dhe ngjyrë. Në ambiente të mbyllura dhe të paajrosura, ai zëvendëson oksigjenin, gjë që përbën rrezik për shëndetin dhe shkakton vdekje. Por nuk ka një aromë specifike. Dhoma mund të duket thjesht si e paajrosur.

Çfarë ndodh në organizëm?

Kur thithet në sasi të mëdha, monoksidi i karbonit zë vendin e oksigjenit në gjak. Kur zemra pompon gjak, truri dhe organe të tjera jetësore privohen nga oksigjeni. Një gjë e tillë shkakton probleme shëndetësore dhe vdekje.

Cilat janë simptomat e helmimit nga monoksidi i karbonit?

Simptomat më të zakonshme nga dhimbje koke, marramendje, të përziera, të vjella, dhimbje në gjoks, konfuzion dhe mungesë fuqie. Shpeshherë, simptomat e helmimit nga CO përshkruhen si të ngjashme me gripin. Sa më shumë të merrni frymë, aq më shumë rritet rreziku për vdekje. Njerëzit të cilët janë duke fjetur mund të ndërrojnë jetë para se të shfaqen simptomat. Ata mund të ndërrojnë jetë në gjumë, pa u zgjuar kurrë.

Cilët janë më të rrezikur?

Të gjithë, pa përjashtim. Megjithatë theksojmë se foshnjat, të moshuarit, njerëzit me probleme kronike në zemër, personat që vuajnë nga anemia dhe problemet me frymëmarrjen kanë më shumë gjasa të rrezikohen. Në Shqipëri nuk ka ende një raport të saktë në lidhje me helmimet nga monoksidi i karbonit, por në Amerikë ndërrojnë jetë më shumë se 400 amerikanë çdo vit, ndërkohë që raportohet se mbi 20,000 kërkojnë ndihmë të specializuar mjekësore si pasojë e helmimit.

Si mund të shmangni rrezikun?

– Kontrolloni pajisjet e gatimit çdo vit.

– Mos përdorni mangall në hapësira të mbyllura.

– Shmangni përdorimin e lëndëve djegëse në vende të vogla.

– Ajrosni vazhdimisht shtëpinë dhe mjediset e tjera.

– Blini dedektor për monoksid karboni.

Burimi: Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe WebMD

Marrë nga /Anabel/

SHKARKO APP