Manja i ekzaltuar me fitoren e Pjerin Ndreut: Të punojmë 5-fish më shumë për një qytet evropian

Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Lezhës, Ulsi Manja ka falënderuar lezhianët për fitoren e pastër që u dhanë socialistëve, duke theksuar se “shuplaka” ndaj koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ishte një leksion qytetarie ndaj modelit të llumit.

“Fitorja e Pjerinit në Lezhë më ka shijuar pa masë, jo vetëm se ishte fitore e pastër spektakolare por qytetarët e Lezhës i thanë stop një modeli të gjuhës fyese dhe përçarëse të ndasive krahinore. Kundërshtarët tanë betoheshin në çdo cep të Lezhës se do na përcillnin deri tek Ura e Milotit”,-tha Manja, duke shtuar se: “Lezha jo vetëm që foli për Pjerinin, por i dha një leksion qytetarie edhe kësaj pjese. Lezha na tha ne do të ecim përpara, vetëm përpara. Kurrë mbrapa. Mirënjohje. Shumë faleminderit Lezha, ju dua shumë ju kam xhan”,-tha më tej Manja.

Në fjalimin e fitores, kryebashkiaku i sapo rikonfirmuar në krye të Lezhës, Pjerin Ndreu tha se është një nder t’i shërbejë Lezhës edhe për një tjetër mandat, duke shtuar se do të punohet fort për ta kthyer atë në një qytet evropian.

“Mirëmbrëma, përshëndes të gjithë lezhianët dhe miqtë e mi, të gjithë ata që më votuan ose jo. E kam për nder që të punojmë edhe këto 4 vjet për këtë qytet që natyra i ka fal gjithçka por njerëzit s’e kanë vlerësuar siç duhet na duhet shumë mund dhe djersë të ecim para. Falënderoj të gjithë socialistët lezhian për punën e bërë. Sot ne i treguam të gjithë Shqipërisë që Lezha nuk është një skuadër që shkon djathtas kot por prej punës. Sot ju them se Lezha në këto 4 vjet do të bëjë 5 fishin e punëve për të qenë një tjetër qytet evropian i Shqipërisë. Faleminderit”,-tha Ndreu.

SHKARKO APP