Manjani: Hartë të përbashkët hipotekë- ALUIZNI për titujt e pronësisë

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi të martën se dixhitalizimi i jep fund problemeve që paraqiten pranë Zyrës të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Ministri vuri në dukje se edhe pse ka përmirësim të dukshëm pranë këtyre zyrave gjatë 2 muajve të fundit, sërish shërbimi që iu ofrohet qytetarëve është larg standardeve.

“Asnjë tolerancë nuk do të ketë për këdo që shkel afatet . Kjo është e panegociueshme. Kushdo qoftë zyrtari që kapet me shkelje afatesh nuk mund të shërbejë më në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, deklaroi Manjani.

Sipas tij, kjo ka qenë edhe arsyeja se pse ne kemi sugjeruar edhe masa ekstreme administrative, ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin, apo përdorin autoritetin e shtetit dhe të ligjit për të kërkuar para. Ai tha se i është kërkuar Prokurorisë dhe gjithë agjencive të tjera shtetërore që të rrisin aftësinë provuese kundrejt çdo zyrtari të zyrave të hipotekës që kërkon para.

Manjani bëri publik edhe një urdhër të shpërndarë për të gjitha zyrat e regjistrimit, ku bën të detyrueshëm bashkëpunimin me zyrat e legalizimeve.

“Të gjithë drejtuesit e zyrave vendore janë të detyruar që të bashkëpunojnë me zyrat e ALUIZNI-t për të ndërtuar punë të përbashkët me një hartë të përbashkët. Harta zyrtare që do të përdoret për tituj pronësie do të jetë harta e ALUIZNI-t. Kushdo që e refuzon këtë do të mbajë përgjegjësi zyrtare, ligjore dhe kushtetuese”, u shpreh Manjani.

Ministri po ashtu theksoi se Kryeregjistruesi do të bëjë publik çdo vend vakant që krijohet në shërbimin e zyrës së regjistrimit të pasurive kudo qoftë në të gjithë territorin asnjë emërim në detyrë nuk do të bëhet pa iu nënshtruar më parë një konkursi publik

SHKARKO APP