Manjani mbron Gjykatën e Krimeve të Rënda: Ajo na futi në NATO

Teksa çështja më e diskutuar për Gjykatën e Krimeve të Rënda është shpallja si të pafajshëm e 2% të të pandehurve, kjo sipas ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani nuk përbën një skandal.

Por sipas tij po të shohësh rastet konkrete, aty krijohet gjullurdia, prandaj në këtë drejtim, i ftoi gjykatësit të jenë më të vëmendshëm.

“Pasi në disa raste kemi qenë në vështirësi edhe karshi partnerëve të Bashkimit Europian”, shtoi Manjani, i cili u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me gjykatat për të ndrequr shqetësimet e tyre.

Ministri e vlerësoi punën e gjyqtarëve të këtij institucioni dhe u shpreh se “nuk ka shumë ankesa për Gjykatën e Krimeve të Rënda”.

Madje sipas tij, ka qenë ky institucion që nxiti pranimin e vendit tonë në Aleancën e NATO-s.

“Ajo që ne na ka dhënë kredo shtetformuese është Gjykata e Krimeve të Rënda. Në momentin që u krijua Gjykata e Krimeve të Rënda ishte një moment kur popullsia ishte e armatosur, bandat shëtisnin rrugëve dhe sistemi gjyqësor normal nuk i përgjigjej. Sot kemi banditë në burg, banda të shkatërruara dhe kjo punë nuk është bërë pa kontributin tuaj të përditshëm, pa mundin tuaj, që disa prej jush ngrihen në mëngjes dhe shoqërohen nga truproja”, vijoi Manjani.

Më tej, duke folur për reformën në drejtësi, ministri i Drejtësisë theksoi se reforma në drejtësi duhet të bëhet patjetër, si kushti kryesor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

 

 

 

SHKARKO APP