Manjani: Ndryshime në mjekësinë ligjore

 

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në një takim me drejtues dhe stafin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Gjatë një bashkëbisedimi me profesionistët e këtij institucioni, z. Manjani është njohur me kushtet aktuale të punës, sfidat dhe problematikat sikurse ka mirëpritur edhe alternativat e ekspertëve për rritjen e cilësisë së shërbimit në këtë institucion.

Në nisje të fjalës së tij, duke vlerësuar aktivitetin dhe punën që përballon stafi, Ministri Manjani e konsideroi këtë institucion si “institutin e së vërtetës” dhe shprehu të gjithë mbështetjen e tij për mjekët dhe stafin e institutit.

“Mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë do ta keni pa asnjë mëdyshje. Ne kemi interes që të risim transparencën në shërbim. Jam i gatshëm që të propozoj ndryshime ligjore që për çdo pacient që merr trajtim spitalor dhe gjendet në kushtet e ndërrimit të jetës, Instituti i Mjekësisë Ligjore të japi një arsye. Qëllimi jonë është që të sqarojmë familjarët, të japim arsyen e vërtetë se përse ka ardhur vdekja. Jo vetëm në spital, por kushdo që gjendet në një institucion publik dhe ndërron jetë, ligji do të bëhet që Instituti i Mjekësisë Ligjore të ketë mundësinë, madje do të thoja detyrimin që të konfirmojë apo të jap të vërtetën e shkakut të vdekjes. Duhet ta bëjmë këtë sepse është e pamundur që ne të legjitimojmë procedurat ligjore gjyqësore, siç është zhvarrimi për arsyet e gjetjes së të vërtetës. Kushdo që merr trajtim spitalor dhe vdes në spital, në burg apo kudo ku ka trajtim publik duhet që Instituti i Mjekësisë Ligjore të ketë detyrimin ligjor të konfirmojë apo saktësojë arsyen e vdekjes”,tha z. Manjani

Ministri Manjani vuri në dukje se shpesh puna e ekspertëve mjeko-ligjor komplikohet edhe për shkak të emocioneve të forta, në të cilat kryhet aktiviteti në këtë shërbim,

“Tek ju përplasen shumë emocione njerëzore, madje në disa raste shumë më shumë se tek trajtimi spitalor normal, por jemi të detyruar që të jemi të ftohtë, të jemi profesionist dhe korrekt”,u shpreh Ministri Manjani.   

Instituti i Mjekësisë Ligjore, është i vetmi institucion i cili në veprimtarinë e tij përfshin  përgatitjen e akteve mjeko-ligjore, të cilat kërkohen me vendim të Prokurorisë, Oficerit të Policisë Gjyqësore, Gjykatës dhe Avokatit të Popullit. Gjatë periudhës Shtator 2013 – Korrik 2015 ky institut i është përgjigjur kërkesave të këtyre institucioneve dhe ka studiuar, shqyrtuar dhe vlerësuar raste të ndryshme mjeko-ligjore duke përgatitur në total 25. 872, një numër i konsiderueshëm aktesh ekspertimi, ku përfshihen akte të ekspertimit mjeko-ligjor, psikiatriko-ligjor, toksikologo-ligjor, biologjiko-ligjor si dhe vizita ambulatore.

SHKARKO APP