Manjani: Rekomandimet e KE-së, bibla e punës sime

 

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, nënvizoi sot publikisht vullnetin e qeverisë për të avancuar me reformën në drejtësi dhe prioritetet e vendosura në progres-raportin e KE-së, për çeljen e negociatave.

“Është një kënaqësi të filloj detyrën me një event të rëndësishëm që është progres-raporti. Një raport realist, nga më realistët, që i ka ardhur ndonjëherë qeverisë shqiptare. Një raport që na vë para sfidave të mëdha. Lufta ndaj korrupsionit, transparenca..etj. Të gjitha rekomandimet e këtij raporti do të jenë bibla e punës sime. Kjo është gjëja e vetme për t’u kuptuar sepse plotësimi i këtyre rekomandimeve do të bëjë të mundur që të marrim ftesën për të çelur negociatat për anëtarësim në pranverë”, tha Manjani.

Kreu i drejtësisë në vendin tonë tha gjithashtu se nuk do të ketë më fjalë boshe, por punë, e cila është përcaktuar qartë nga progres-raporti dhe në veçanti reformën në drejtësi, që është dhe kryetemë e këtij raporti.

“Kjo reformë udhëhiqet nga parlamenti, ku edhe ministri i Drejtësisë është kontribues. Dua të konfirmoj edhe njëherë si ministër i Drejtësisë, si zyrtar që është i mandatuar për të kryer shërbime ligjore, se kemi një sërë aktivitetesh e masash. Duam një reformë në drejtësi të qëndrueshme, që ofron transparencë dhe barazi përpara ligjit”, u shpreh Manjani.

SHKARKO APP