Maqedoni, gjendet i vdekur ish shefi i inteligjencës ushtarake

 

Ish- shefi i inteligjencës ushtarake, Goran Sofeski, është gjetur i vdekur në rrethana misterioze. Trupi i pajetë i Sofeskit u gjet rreth 5 kilometra nga Kërçova në terren malor.

Një natë me parë, nga familjarët ishte denoncuar në polici si i humbur, ndërsa mëngjesin e sotëm u gjet pa shenja jete. Nga Sektori për punë të brendshme Kërçovë thonë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa Prokurori Publik ka nisur hetimet.

Në bazë të informacioneve të deritanishme, ende nuk dihet motivi dhe arsyeja e vdekjes së Sofeskit.

Goran Sofeski, pas mbarimit të mandatit shefi i inteligjencës ushtarake, ka qenë edhe truproje e ministres për punë dhe politikë sociale Frosina Remenski, e posaçërisht gjatë kohës së protestave të opozitës para qeverisë.

Sofeski njihet si zbuluesi i aferave të mëdha kriminale brenda ARM-së si ajo e trafikimit të armëve kohë më parë, për të cilën edhe u dënua dhe u shkarkua nga posti. Periudhës së fundit ishte i angazhuar si major në kazermën e Kumanovës.

SHKARKO APP