Maqedoni, Ivanov pengon emërimin e ambasadorëve shqiptarë

 

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov është bërë pengesë për emërimin e ambasadorëve të rinj shqiptarë nga Maqedonia.

Aktualisht, vendi përfaqësohet vetëm nga një ambasador shqiptar në botë, që është i emëruar në Danimarkë. 

Ndërkohë, shtatë vende të tjera, si Bosnje e Hercegovina, Zvicra, Polonia, Katari, Norvegjia apo Franca, ku shqiptarët duhet të përfaqësojnë Maqedoninë, mbeten pa ambasadorë. 

Mësohet se Ivanov refuzon t’i dekretojë ata për shkak se partia e Ali Ahmetit, BDI, nuk e njeh atë si president legjitim të vendit. 

“Ai nuk është president legjitim dhe nuk është president konsensual i vendit dhe si i tillë nuk i përfaqëson të gjithë qytetarët, të gjithë votuesit dhe të gjitha grupet etnike në Maqedoni”, ka deklaruar deputetja e BDI, Ermira Mehmeti. 

Presidenti maqedonas nuk është prononcuar për këtë çështje, e cila përveç se në media është ngritur edhe në Kuvend nga deputetët shqiptarë. Ndërkohë, ministri i Jashtëm Nikolla Popovski ka kërkuar që këtij problemi të mos i jepet karakter etnik. 

Ndonëse emërimi i ambasadorëve shqiptarë zvarritet me vite, Popovski thotë se pret zgjidhje të shpejtë të këtij problemi, pasi sipas tij, plotësimi i vendeve vakante në ambasadat maqedonase nëpër botë është në interes të vendit.

/ Top Channel 

SHKARKO APP