Maqedonia e Veriut gati të ndahet nga Shqipëria
Maqedonia e Veriut sheh si zgjidhje për fillimin e bisedimeve të pranimit, ndarjen e procesit nga Shqipëria. Ministri i Jashtëm, Nikola Dimitrov, duke folur me rrjetin “Euronews”, tha se nisja e procesit vetëm me një vend është më mirë se me asnjë.
“Mendoj se suksesi i një vendi është lajm i mirë për të gjithë rajonin. Si fqinjë të mirë, ne besojmë se edhe Tirana duhet t’i fillojë rrugën e saj europiane. Fillimi i procesit për të dy do të ishte ideale, por ne na duhet një zgjidhje. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë duhet të gjejmë një dinamikë pozitive dhe jo një dinamikë negative. Dhe sigurisht një është më mirë se asnjë,” tha Dimitrov.
Tetorin e kaluar, gjatë takimit të Këshillit Europian, shumica e vendeve të BE-së ishin pro hapjes së negociatave me Maqedoninë Veriore, por u shprehën të shqetësuar për përparimin e Shqipërisë
Por edhe sikur procesi i shqyrtimit të ndahet, nuk ka garanci se negociatat do të fillojnë për Shkupin. Të hënën, Dimitrov pati edhe takimin e parë me komisionerin e ri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi. Pas takimit, Dimitrovi, tha se për Shkupin nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit të plotë në Bashkimin Europian.
“Mendoj se rajoni nuk ka ndonjë alternativë tjetër strategjike, në një mënyrë apo në një tjetër ne do të arrijmë aty. Por udhëtimi do të jetë më i lehtë nëse kemi miq dhe mjete që i mbështesin reformat.”
Në tetor, Këshilli Europian vendosi se çështja e zgjerimit do të diskutohet “përpara Samitit të Zagrebit”. Dimitrovi kërkon që një zgjidhje të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.