Maqedonia reagon ndaj Ramës: Bllokimet s’kontribuojnë për paqen në rajon

Ministria e jashtme e Maqedonisë ka publikuar një deklaratë për media, sipas të cilës, dënon qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në lidhje me konfliktin në Kumanovë, por edhe deklaratën e ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov, sipas të cilit Shqipëria dhe Bullgaria po bëjnë plane për ndarjen e Maqedonisë mes tyre.

Edi Rama më 20 maj 2015:Shqipëria e të gjithë ne duam një Maqedoni të qëndrueshme por jo të pajetueshme.

Një Maqedoni demokratike për të gjithë që duhet të jetë pjesë e NATO-s por s’mund të jetë pjesë e saj pa trajtuar në frymë e në gërmë vlerat e parimet që e bëjnë NATO-n jo një klub ushtarak por një aleancë të popujve e vendeve demokratike në mbrojtje të paqes dhe të drejtës së çdo populli për të jetuar i lirë dhe për të qenë i mbrojtur nga kërcënimi i jashtëzakonshëm i terrozimit . Që do të thotë se Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO pa respektuar në frymë e në gërmë Marrëveshjen e Ohrit“

Kjo deklaratë e kryeministrit Rama që është interpretuar si një veto e Shqipërisë për antarësimin e Maqedonisë në NATO ka sjellë reagimin e vendit fqinj.

Ndërkohë që ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, nuk vizitoi sot Tiranën për të marrë pjesë në konferencën e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, ministria e jashtme e Maqedonisë publikoi po sot një deklaratë për media, sipas të cilës, dënon këtë qendrim të mbajtur nga Shqipëria, por edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, sipas të cilit Shqipëria dhe Bullgaria po bëjnë plane për ndarjen e Maqedonisë mes tyre.

“Të gjitha bllokadat, kërcënimet për bllokime dhe deklaratat për justifikime false të mungesës së mbështetjes dhe kundërshtimit të antarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian që vijnë nga jashtë, janë kundër vlerave europiane dhe nuk kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Kriza politike që ka përfshirë vendin pas skandalit të përgjimeve dhe ngjarja tragjike e Kumanovës, kanë sjellë reagimin e faktorit ndërkombëtar, ku nuk kanë munguar zërat për hetim të plotë edhe me ndihmën e institucioneve europiane, për të gjetur një zgjidhje që nuk do të pengojë procesin integrues të vendit.

SHKARKO APP