Margarita Xhepa feston ditëlindjen në spital në shëndet të plotë
Dy javë më parë aktorja e mirënjohur, Margarita Xhepa ju nënshtrua një operacioni në këmbë në spital. Pavarësisht se operacioni ishte i vështirë, tashmë aktorja shqiptare gëzon shëndet të plotë.
Sot ajo feston 85-vjetorin e lindjes dhe këtë ditë të veçantë e ka kaluar në ambientet e spitalit me mjekët që i janë gjendur pranë në çdo moment. Bluzat e bardha kanë pozuar për një fotografi me Margarita Xhepën dhe i kanë uruar shërim sa më të shpejtë pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Siç duket edhe nga fotoja, aktorja, që mban titullin “Nderi i Kombit”, tashmë duket në formë më të mirë shëndetësore.
Përpara ndërhyrjes në këmbë Margarita dukej shumë optimiste në një deklaratë që dha për mediat dhe kjo ishte një ndër arsyet që arriti ta përballonte operacionin me sukses. Margarita Xhepa ka një kontribut të çmuar në kinematografinë shqiptare dhe pavarësisht viteve që kalojnë ajo nuk është shkëputur asnjë moment nga skena.