Marin Mema ndalohet nga policia e Maqedonisë së Veriut
Gazetari shqiptar, Marin Mema është ndaluar nga Policia në Maqedoninë e Veriut. Vetë gazetari ka publikuar pamjet nga biseda me efektivët e Maqedonisë së Veriut që i kërkojnë të hapë çantën dhe ta kontrollojnë.
Mema shprehet se është gazetar dhe po ikën për në Shqipëri, pasi ka mbaruar me xhirimet në atë vend, por efektivi këmbëngul t’i kontrollojë çantën dhe makinën. Gazetari dëgjohet që shton më tej se kur një shqiptar i Maqedonisë së Veriut vjen në vendin tonë, askush nuk e trajton si terrorist apo të kërkojë ta ndalojë e ta kontrollojë me imtësi.
Pjesë nga biseda në video
Polici: Kush jeni ju?
Mema: Jemi gazetarë, kemi ardhur për xhirime, nuk kemi filmuar asgjë të veçantë. Jeni shqiptar?
Polici: Po, hape çantën dhe makinën.
Mema: Ne jemi shqiptar, kur vjen një shtetas i Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, nuk e trajtojmë si terrorist, s’e kuptoj arsyen e këtij kontrolli.
Polici: Për ta bërë një kontroll more.
Mema: Po përse, ne nuk kemi xhiruar asnjë objekt me rëndësi të veçantë.
Për këtë rast nuk ka asnjë njoftim nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut. Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, e ka konsideruar këtë rast si dëshmi të një shteti policor dhe shkelje e Konventës Evropiane.