Marrëdhënia me median/ Çipa: Qeveria të nxisë vetërregullime

Këtë të martë u bë publik raporti nga Reporterët pa Kufi, të cilët e rendisin Shqipërinë në vendin e 84 sa i takon nivelit të lirisë së mediave. Vendi ynë ka humbur dy pikë në raport me vitin e kaluar dhe kjo ka ardhur kryesisht për shkak të ligjit të antishpifjes që qeveria ka ndërmarrë.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa thotë se ishte e paralajmëruar një rënie e tillë, pasi ligjet e ndërmarra nga qeveria kufizonin lirinë e medias. Nga ana tjetër, Çipa tha se është paradoksale që vende me probleme etnike dhe në demokracinë e brendshme, siç janë Bosnja dhe Kosova pozicionohen më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Ishte paralajmëruar për një rënie të renditjes në raport me rajonin dhe raport me botën. Kjo ishte thënë pasi qeveria ndërmori ligje që kufizonin lirinë e medias. Indeksimi i sivjetshëm mbart dhe një kontekst paradoksal për rajonin. Pasi vende që njihen për probleme jo vetëm etnike por dhe për demokracinë brendshme, Bosnja dhe Kosova renditen më mirë se sa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Për më tepër, ai bëri thirrje që qeveria të ndryshojë qasje në marrëdhënien e saj me organizatat e gazetarëve, mediat dhe portalet. Sipas tij, qeveria duhet të ndryshojë qasje dhe nga pikëpamja metodologjike, pasi ligji antishpifje i jep më shumë autoritet organeve që janë palë politike.

SHKARKO APP